Gazeta Si – Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden ndryshoi dënimet me vdekje për 37 nga 40 të burgosurit federalë të dënuar me vdekje këtë të hënë, duke vepruar përpara kthimit të Donald Trump (kishte pasur një numër të lartë ekzekutimesh gjatë mandatit të tij të parë).
Me më pak se një muaj të mbetur në mandatin e tij, Biden ka dëgjuar thirrjet në rritje të kundërshtarëve të dënimit kapital për t’i kthyer këto në dënime me burgim të përjetshëm, pa mundësinë e lirimit me kusht, një masë që do të aplikohet tani për 37 të burgosur. Përjashtohen vetëm disa kriminelë të profilit të lartë të akuzuar për krime të urrejtjes ose terrorizëm.
“Këto masa janë në përputhje me moratoriumin që administrata ime ka vendosur mbi ekzekutimet federale, me përjashtim të rasteve të terrorizmit dhe vrasjeve masive të motivuara nga urrejtja”, tha Biden në një deklaratë.
Mes të burgosurve, të cilëve iu është ndryshuar dënimi, janë nëntë të dënuar për vrasje të të burgosurve të tjerë, katër për vrasje të kryera gjatë grabitjeve të bankave dhe një për vrasjen e një roje burgu.
“Mos bëni gabim, unë i dënoj këta vrasës, mbaj zi për viktimat e akteve të tyre të neveritshme dhe ndaj dhimbjen e familjeve që kanë pësuar humbje të pariparueshme, – tha Biden. – Por, i udhëhequr nga ndërgjegjja dhe përvoja ime… Jam më i bindur se kurrë se ne duhet të heqim përdorimin e dënimit me vdekje në nivel federal”, – shtoi ai.
Tre të burgosurit që do të mbeten të dënuar me vdekje, janë Dzhokhar Tsarnaev, përgjegjës për vendosjen e bombave në Maratonën e Bostonit të vitit 2013, ku humbën jetën disa persona; Dylann Roof, një supremacist i bardhë, i cili vrau nëntë besimtarë afrikano-amerikanë në një kishë në Charleston, Karolina e Jugut në vitin 2015; Robert Bowers, autori i sulmit të vitit 2018 në sinagogën “Tree of Life” në Pittsburgh, ku mbetën të vrarë 11 persona.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




