Bota

Rusia arreston një shtetas nga Uzbekistani, i dyshuar për vrasjen e gjeneralit në Moskë

Gazeta Si - Autoritetet ruse kanë njoftuar të mërkurën se kanë arrestuar një shtetas nga Uzbekistani, i cili, sipas tyre, ka pranuar montimin e një bombe që vrau gjeneralin rus, Igor Kirillov, në Moskë, një ditë më parë, me porosi nga shërbimi i sigurisë i Ukrainës.

Kirillov, i cili ishte shef i Trupave për Mbrojtje Bërthamore, Biologjike dhe Kimike të Rusisë, u vra para banesës së tij, bashkë me asistentin e tij, pas shpërthimit të një bombe të fshehur në një skuter elektrik.

Sipas deklaratës së hetuesve rusë, të dyshuarit, i lindur më 1995, i ishin ofruar 100.000 dollarë për rolin e tij në vrasjen e gjeneralit, si dhe banim në një vend evropian.

Ndonëse asnjë individ apo grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për vrasjen, një burim brenda shërbimit të inteligjencës i Ukrainës, SBU - agjenci që ka akuzuar Kirillovin se ka qenë përgjegjës për përdorimin e armëve kimike kundër trupave ukrainase, diçka që Moska e mohon - ka thënë për Radion Evropa e Lirë se shpërthimi ka qenë rezultat i një operacion special të SBU-së.

Komiteti Hetues i Rusisë, i cili heton krime serioze, ka thënë përmes një komunikate, të mërkurën, se i dyshuari i paidentifikuar u kishte thënë, gjatë marrjes në pyetje, se kishte ardhur në Moskë, ku kishte marrë një pajisje të improvizuar shpërthyese për të kryer vrasjen.

Deklarata e autoriteteve ruse ka thënë se ai ka përshkruar se si e kishte vendosur mjetin shpërthyes në një skuter elektrik, të cilin e kishte parkuar para hyrjes së ndërtesës së banimit, ku Kirillov jetonte.

Hetuesit e kanë cituar atë të ketë thënë se ai kishte vendosur një kamerë monitoruese në një veturë të marrë me qira aty afër, dhe se organizatorët e vrasjes, që ai thuhet të ketë thënë se janë nga qyteti ukrainas i Dnipros, kishin përdorur kamerën për të gjurmuar Kirillovin dhe e kishin aktivizuar bombën na largësia, pas daljes së tij nga banesa.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë