Bota

Rusia sulmon me dronë dhe raketa sektorin energjetik të Ukrainës, 1 milion njerëz në errësirë

Gazeta Si - Rusia ka kryer një sulm masiv ndaj sektorit energjetik të Ukrainës, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë në disa qytete të vendit.

Qindra mijëra familje ukrainase kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të sulmit masiv me dronë dhe raketa në infrastrukturën energjetike të vendit, thanë zyrtarët rajonalë.

“Rreth 523 mijë konsumatorë, përfshirë familje dhe biznese, kanë mbetur pa energji elektrike në rajonin perëndimor të Lviv”, tha presidenti i administratës lokale, Maksym Kozytsky.

Në rajonet veriperëndimore të Rivne dhe Volhynia, megjithatë, 280 mijë dhe 215 mijë përdorues janë pa energji elektrike respektivisht.

Rreth 100 dronë dhe më shumë se 90 raketa dhe municione thërrmuese ishin armët me të cilat rusët sulmuan infrastrukturën energjetike të Ukrainës gjatë natës.

Këtë e bëri të ditur Volodymyr Zelensky në Telegram. "Objektivi është sektori ynë energjetik. Gjithsej rreth 100 dronë sulmues, më shumë se 90 raketa të llojeve të ndryshme. Sulmet me municione thërrmuese që synojnë infrastrukturën civile janë regjistruar në disa rajone", thuhet në mesazhin e tij. "Ky është një përshkallëzim shumë i neveritshëm i taktikave terroriste ruse”.

Rrjeti energjetik i Ukrainës është goditur rëndë që kur Rusia nisi pushtimin e shtetit fqinj më 2022 dhe Kievi e ka akuzuar Moskën për taktika “terrori”, pasi ka thënë se po tenton të zhysë në terr qytetet ukrainase dhe të lërë pa ngrohje civilët gjatë stinës së dimrit.

Ministri ukrainas i Energjisë, German Galushchenko, tha se infrastruktura energjetike është “nën sulm masiv të armikut”, pasi në mbarë vendin u lëshuan alarme për sulme me raketa.

Forcat Ajrore të Ukrainës raportuan se Rusia ka kryer një sërë sulmesh me raketa lundruese dhe dronë në mbarë vendin, përfshirë në Kiev, Harkiv dhe qytetin-port të Odesës.

“Sërish, sektori i energjisë është nën një sulm masiv të armikut. Sulmet ndaj ndërtesave të energjisë po kryhen në mbarë shtetin”, tha Galushchenko.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë