Nga Gazeta Si- Prej më shumë se dy muajsh kanë filluar përgatitjet për zgjedhjet edhe në Federatën Shqiptare të Atletikës. Ndryshe nga sa mendohej, ose më saktë në mënyrë të papritur doli kandidatura e Izmir Smajlajt për postin e presidentit të FSHA-së, duke vendosur të hiqte dorë nga sporti, edhe për shkak të dëmtimeve, por edhe sepse rezultatet e tij nuk ishin më ato të dikurshmet.
Ai vendosi në këtë mënyrë të dilte përballë ish-trajnerit të tij dhe ish-mikut Taulant Stërmasi, njëkohësisht president i federatës në fuqi, deri në ditën e asamblesë zgjedhore. Ndërkohë që në publik dhe në dukje ishin ende miq, nën rrogoz “lufta” për pushtet dukej se ishte shumë e ashpër dhe ashtu siç doli në momentin e fundit jo shumë e ndershme dhe e pastër.
Për të bërë gjithçka publike dhe për t’i hedhur benzinë zjarrit mendoi kolegia e Izmirit dhe sportistja e Taulantit, kampionia e Europës, Luiza Gega e cila nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale ditën e hënë vendosi të tregojë se po bëhej një padrejtësi dhe një manipulim në këtë proces zgjedhor, duke e përjashtuar atë nga gara, pasi ishte futur në garë për anëtare të komitetit ekzekutiv dhe trajnerin e saj Taulant Stërmasi, gjithashtu e përjashtuan nga gara për president.
Argumenti ishte disi i çuditshëm. Për herë të fundit që gjykata dhe rrjedhimisht shteti, dinte dhe njihte një asamble zgjedhore të Federatës Shqiptare të Atletikës, ishte në vitin 2010-të, që nga ato zgjedhje dhe nga ai vit, asnjëherë zgjedhjet e federatës së atletikës nuk ishin regjistruar në gjykatë.
Se si kanë marrë grante, pra paratë, nga shteti dhe ministria, pa i njohur gjykata, kjo është një tjetër temë. Për të mbetur tek zgjedhjet, Izmir Smajlaj, që sipas Gegës dhe Stërmasit ka mbështetjen e ish-presidentit Ruli dhe presidentit të KOKSH, Fidel Ylli, kishin filluar të shfrytëzonin këtë hapësirë për t’u kthyer në kohë, pra për të mbajtur komisionin e fundit që njihte shteti, atë të 2010-tës, ndërkohë që të përdornin dhe ligjin e viti 2022, sipas të cilit i kërkohet klubeve që të ndryshojnë statusin ligjor, në shoqata. Duke qenë se deri më tani asnjë klub nuk ishte shndërruar në shoqatë, po sipas Luizës dhe Taulantit, artificialisht brenda 30 ditëve të fundit, organizatorët e këtyre zgjedhjeve kishin krijuar 7 shoqata sportive të atletikës, pa asnjë lidhje me atletikën dhe pa asnjë sportist. Do të ishin pikërisht ato shoqata që do të futeshin në zgjedhje, dhe jo klubet që kanë qenë anëtare deri më tani.
Me këtë lëvizje si Luiza Gega ashtu edhe Taulant Stërmasi, u dogjën automatikisht nga kjo garë, pasi asnjë nga këto shoqata nuk i kishte propozuar. Por lëvizja me sa duket ishte shumë e trashë dhe dalja në publik e këtyre fakteve, solli me sa duket edhe lëvizjen e shtetit.
Kështu ministria e sportit, Ogerta Manastirliu, sipas burimeve konfidenciale të Gazetasi.al, ka zhvilluar një takim formal me palët, duke i ulur në tavolinë, Izmir Smajlaj, Luiza Gegën, Gjergj Rulin dhe Taulant Stërmasin. Kjo mbledhje që po sipas këtyre burimeve konfidenciale, ka qenë një tërheqje veshi për të 4 këta personazhe, duke i kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve që ishin parashikuar më 4 dhjetor dhe rikthimin e garës në kushte normale.
Një lëvizje e papritur e shtetit që me shumë gjasë, do të sjellë një ndryshim të mënyrës se si do të organizohet kjo asamble zgjedhore dhe ndoshta një tërheqje të Izmir Smajlajt nga gara, nëse nuk do të pranojë që asambleja të zhvillohet normalisht nga klubet, të cilat kanë qenë edhe pjesëmarrëse në zgjedhjet e fundit dhe jo nga këto shoqata të krijuara rishtazi. Gjithashtu dhe nëse nuk do të pranojë ofertën që Taulant Stërmasi i ka bërë konfidencialisht, për të qenë zëvendës president, në rast se i humbet zgjedhjet dhe për të vazhduar bashkëpunimin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.