Nga Gazeta Si- Katër “shokët” e atletikës, Gjergj Ruli, Taulant Stërmasi, Izmir Smajlaj dhe Luiza Gega, sot nuk janë më të tillë. Prej më shumë se dy muajsh, nën rrogoz “lufta”, miqësia e drejtuesve dhe ish-drejtuesve të atletikës, trajnerëve dhe ish-trajnerëve, sportistëve dhe ish-sportistëve, është kthyer në një “luftë“ për pushtet.
Prej më shumë se dy vitesh Federata Shqiptare e Atletikës pësoi një ngërç që lidhej me dënimin përgjithmonë të Gjergj Rulit nga pistat e atletikës, një akuzë nga Federata Botërore, pas një shkeljeje të vërejtur në një prej garave në vendin tonë. Një shkelje e konsideruar si manipulim rezultati në favor të kampionit tonë të Europës, njëkohësisht edhe sportisti i tij Izmir Smajlaj.
Por ndërkohë që sportisti e fitoi betejën e tij ligjore, pasi në fillim u dënua edhe ai, Ruli dhe sekretari i përgjithshëm Nikolin Dionisi mbetën të dënuar dhe ngërçi i Federatës së Atletikës, nga pikëpamja organizative, do të duhej të zgjidhej me një asamble të jashtëzakonshme, zgjedhore. Edhe aty gjërat nuk ishin aq të thjeshta sa dukeshin, prapaskenat ishin të pandalshme, me prapavija dhe mbështetje politike.
Nga njëri krah kandidatura më e logjikshme, Taulant Stërmasi, trajner i Luiza Gegës dhe si pjesë të klubit Tirana patën edhe mbështetjen nën hije të kryetarit të bashkisë Erion Veliaj. Në anën tjetër ishte Ferdinand Canaj, pjesë e Komitetit Olimpik, me mbështetjen e presidenti Fidel Ylli, që pak e simpatizonte dhe e simpatizon Stërmasin.
Në atë garë ishte edhe një nga figurat e njohura të atletikës si Artan Shytaj, por që përballë dy poleve që kishin mbështetje politike, u tërhoq duke lënë në garë vetëm Canaj dhe Stërmasin. Ky I fundit fitoi ngushtë me rezultatin 8 me 6, pasi 3 vota shkuan për Shytajn. Rezultati solli balotazhin, që më pas nxori prap përpara Taulant Stërmasin ndaj Canajt me shifrat 10-7.
Sot kur kanë kaluar mbi dy vite, në prag të një asambleje zgjedhore, “grupi” i ish-presidentit Gjergj Ruli, nën mbështetjen sërish të Fidel Yllit, president i KOKSH, ka vendosur të nxjerrin si kandidat Izmir Smajlajn, tashmë i tërhequr nga sporti. Së pari sepse Ruli vetë mbetet i dënuar, dhe së dyti, rezultatet e Smajlajt nuk ishin më të duhurat, kjo edhe për shkak dëmtimesh, përpos faktit që është një ish-sportist i nivelit të lartë dhe me reputacion pozitiv.
Kështu rreth 3 javë më parë Smajlaj doli hapur me një status ku njoftoi tërheqjen nga sporti dhe zyrtarizimin si kandidat në zgjedhje përballë Stërmasit. Një “luftë“ e hapur që prishi një miqësi me ish-trajnerin e fundit, pasi vitin e fundit Izmir Smajlaj kishte trajner Taulant Stërmasin, dhe mbi të gjitha, sportisten dhe kolegen e tij Luiza Gegën, dikur shumë miq, por ndasitë e miqësive, (duke qenë se prej më shumës e 10 vitesh Luiza trajnohet nga Taulnat Stërmasi), për të mos thënë interesave, sollën një krisje publike.
Pikërisht dje Luiza Gega doli hapur kundër ish-presidencës së vjetër dhe grupimit të ri që janë kundër trajnerit të saj, presidentit aktual të FSHA-së, Taulant Stërmasi. Në status ajo në pamje të parë tregon parregullsitë sipas “palës së saj”, dhe nën rreshta hap një “luftë“ të hapur mes kampionësh, për një sport që dikur kishte “4 shokë…”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.