Dosje

Kush është Suel Çela, nga përplasja me policinë në vitin 2017 te porositë për eliminimin e rivalëve të tij

Gazeta Si - Emri i Suel Çelës ishte i panjohur në kronikat e lajmeve të aktualitetit deri në përplasjen mes tij dhe drejtorit të Policisë së Elbasanit në vitin 2017 në hyrje të tregut agro-ushqimor. Çela me “Audi”-n e tij luksoz, për pak sa nuk shtypi policët që e ndaluan për kontroll.

Pamjet e publikuara, treguan mjetin duke hyrë në mjediset e brendshme të tregut të fruta-perimeve, ku roja mbyll menjëherë derën duke mos lejuar policinë që ta ndjekë nga pas.

Për policinë dhe organet ligjzbatuese, ai ishte pjesë e një kontigjenti me akuza e vepra të rënda penale mbi shpinë.

Ai rezulton i dënuar në Itali për trafik droge, por megjithëse i tillë u është shmangur disa herë përpjekjeve për ta arrestuar dhe ekstraduar.

Kush është Suel Çela

Suel Çela, i njohur edhe si Marjus Lulaj nga Elbasani, u shpall në kërkim në maj të 2022 në kuadër të dosjen ‘Plumbi i Artë’.

Sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit ai është porositës i tre ngjarjeve 2 të parealizuara dhe 1 e mbetur në tentativë.

Suel Çela akuzohet se ka porositur atentatin e dështuar të 29 marsit 2022 ndaj Elton Kilës, që do ta kryente bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, por i cili mbeti i plagosur rrugës dhe më pas u arrestua.

Një tjetër krim i porositur nga Suel Çela, është ajo e tentativës për të vrarë administratorin e shkollës private Lulzim Masha, ku Skerdi Tase, dyshohej si vrasës me pagesë në këtë rast. Suel Çela, rezulton i dënuar në Itali për trafikim narkotikësh, por ai ka arritur t’i shpëtojë burgut.

Ngjarja e 2017-s

Përplasja në Tregun Agro-Ushqimor ndodhi në 18 shtator 2017 në Elbasan. Në atë kohë policia e Elbasanit kishte informacion për një grup të rrezikshëm që po lëvizte në qytet prandaj organizoi kontrolle.

Pikërisht para tregut Agro-Ushqimor Policia ndaloi një Range-Rover ku brenda tij ishin Enea Bekteshi e Kelmend Xhaferri. Uniformat blu të Elbasanit i arrestuan dy të rinjtë për shkak se kundërshtuan punonjësit.

Mirëpo, në momentin që policët po largoheshin, një Audi i blinduar vjen drejt makinave të policisë dhe në këtë moment përplasen me njëra-tjetrën. Sipas Prokurorisë, policia ishte në aksion dhe “Audi” ka goditur me qëllim makinën e Gjergji Oshafit.

Në dosje theksohet se “Audi”-n e blinduar e drejtonte Suel Çela, i cili më pas u fut brenda Tregu Agro-Ushqimor.

Dera e tregu u mbyll dhe policia nuk mund të hynte dot në brendësi, për shkak se roja nuk e hapi portën. Kur policia u fut brenda tregut, sipas Prokurorisë, Suel Çela ishte larguar.

Në nëntor 2019, Gjykata e Elbasanit vendosi ta shpallë të pafajshëm Celën për sulmin ndaj policisë.

Edhe pse prokuroria kërkoi 7 vite burg, gjykata vendosi ta shpallë të pafajshëm Çelën për mungesë provash, ndërsa dënoi shokun e tij si autor të ngjarjes.

Porositë për eliminim të rivalëve

Tentativa për eliminimin e kundërshtarëve të tyre, ka qenë pjesë e qëllimit të grupit kriminal të drejtuar nga Suel Çela në Elbasan.

Organizata e tij, dyshohet se qëndron edhe pas atentatit me snajper që la të plagosur Ardian Çapjen në Elbasan dhe atij vdekjeprurës ndaj krahut të djathtë të tij, Bledar Muça në Anversë, i cilësuar edhe si killeri i familjes Çapja.

Ky i fundit i ka shpëtuar disa atentateve, mes tyre edhe me antitank. Një prej sulmeve, ishte plagosja me një armë snajper nga distanca, në oborrin e vilës së tij, në periferi të qytetit.

Krimi ndodhi më 8 ershor të vitit 2020 dhe ky ishte atentati i tretë që i mbijetonte. 55-vjeçari u qëllua me armë zjarri, snajper ushtarak në një atentat të mirë organizuar, pranë shtëpisë, ngjitur me hotel 'Univers'-in në pronësi të tij, në hyrje të qytetit të Elbasanit, zona e Krastës.

Për këtë ngjarje SPAK akuzon kreun e grupit rival, Suel Çela, që gjithashtu bashkëpunonte me grupin tjetër Çopja.

Vrasja e Bledar Muçës në Belgjikë

Po ashtu, SPAK akuzon organizatën kriminale të Suel Çelës se fshihet pas vrasjes së Bledar Muçës ndodhur në janar të 2022 në Belgjikë.

Në njoftimin e SPAK thuhet se ky grup, "Siguroi kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasje në dëm të E. K. dhe Bledar Muça.

Vrasja e tij u bë në Belgjikë më 22 janar të vitit 2022, teksa edhe më parë i kishte shpëtuar dy atentateve të tjera, njëri prej të cilëve në Elbasan.

Muça cilësohej si njeriu më i afërt i numrit dy të organizatës, Florenc Çapja, që fshihet në Dubai. Për këtë vrasje, SPAKa ka lëshuar urdhërarrest 'arrest me burg' edhe për Sergei Hasanpapaj, i arrestuar në Belgjikë.

Po për të njëjtën ngjarje, në tetor të këtij viti u arrestua Marsel D. 43-vjeçari u arrestua në aeroportin e Valencias në Spanjë.

Mediat belge ishin ato që zbuluan se bëhet fjalë për shqiptarin Marsel D., i kërkuar për vrasje në Belgjikë, më 22 janar 2022 në Aartselaar. Ai ndihmoi ekzekutorët duke u treguar lëvizjet e Muçës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë