Lajme

Sulmi ndaj policisë në Elbasan, Krimet e Rënda: Suel Çela i pafajshëm

Gjykata për Krime të Rënda ka shpallur të pafajshëm Suel Çelën, i cili u akuzua se ishte pjesë e sulmit ndaj policisë në hyrje të tregut agro-ushqimor në Elbasan.
Ndërkohë, Krimet e Rënda kanë dënuar me 6 vite burg Enea Bekteshin si dhe 5 vite burg Klement Xhaferrin.
Sipas gjykatës, Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë me prova të qarta përfshirjen e Suel Çelës në ngjarjen në tregun agro-ushqimor në Elbasan. Prova e gjetur në automjetin “Audi”, cigarja, nuk tregon nëse ka qenë ose jo në momentin e ngjarjes Suel Çela.
Suel Çela u akuzua si personi, i cili me makinën e tij tip “Audi” goditi më 18 shtator të 2017 në hyrje të Tregut Agroushqimor, makinën e policisë, duke vënë në rrezik jetën e zëvendësdrejtorit të qarkut dhe disa oficerëve të tjerë.

Reagimi i PD: Çela, shërbëtori i Edi Ramës
Partia Demokratike reagoi ndaj lirimit të Suel Çelës, duke u shprehur se ky vendim tregoi edhe një herë se gjykata janë në shërbim të kryeministrit Edi Rama. Sipas PD-së, Çela është një person i rrezikshëm.
“Shpallja i pafajshëm i banditit të rrezikshëm të Elbasanit Suel Çela, shërbëtor i pushtetit të Edi Ramës, provoi në mënyrë të përsëritur se me Edi Ramën në qeveri drejtësia nuk është e lirë të ndëshkojë krimin. Mesazhi që iu dha sot shqiptarëve është se kriminelët e pushtetit, ata që blejnë vota për karrigen e Edi Ramës janë të paprekshëm! Kur kriminelët vjedhin zgjedhjet për Edi Ramën, kur bëjnë drogë me lejen e pushtetit të Edi Ramës, kur godasin policinë dhe e çnderojnë atë me mbrojtjen e Edi Ramës, drejtësia është e pafuqishme të bëjë drejtësi. Duke shpallur të pafajshëm kriminelët e pushtetit, rrëzohet çdo iluzion për drejtësinë e pavarur. Të gjithë e kanë mësuar se drejtësia është plotësisht në dorën e Edi Ramës dhe të krimit”, thuhet në deklaratën e selisë blu.
Më tej PD shton se “vendi ka nevojë jetike për ndarjen e politikës nga krimi, ka nevojë për zgjedhje të lira, të pandikuara nga kriminelët, si dhe për një qeveri të re, që e ka fatin të lidhur me qytetarët dhe jo me kriminelët”.

 

Më Shumë