Bota

Xi Jinping takon Biden: Kina gati për të bashkëpunuar me Trump!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden zhvilloi takimin e tij të fundit me liderin kinez Xi Jinping.

Dy presidentët u takuan të shtunën në prag të samitit vjetor të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor, me Xi që premtoi se do të punojë me presidentin e ardhshëm Donald Trump.

Gjatë takimit, Biden dhe Xi pranuan ulje-ngritjet në marrëdhëniet dypalëshe, teksa theksuan përparimin në uljen e tensioneve për çështje si tregtia dhe Tajvani.

Analistët parashikojnë se marrëdhëniet SHBA-Kinë mund të bëhen më të paqëndrueshme kur Trump të kthehet në detyrë, kjo edhe për shkak të premtimit të tij për të rritur tarifat për importet kineze.

Gjatë mandatit të tij të parë, Trump e etiketoi Kinën një "konkurrent strategjik". Marrëdhëniet u përkeqësuan kur ish-presidenti e etiketoi Covidin një "virus kinez".

Duke folur të shtunën në takimin e mbajtur në hotelin e tij në Lima, presidenti kinez tha se qëllimi i Pekinit për një marrëdhënie të qëndrueshme me Uashingtonin do të mbetet i pandryshuar.

“Kina është e gatshme të punojë me administratën e re amerikane për të ruajtur komunikimin, për të zgjeruar bashkëpunimin dhe për të menaxhuar dallimet”, tha Xi.

Biden tha se konkurrenca strategjike midis dy fuqive globale nuk duhet të përshkallëzohet në luftë.

"Të dy vendet tona nuk mund të lënë asnjë nga kjo konkurrencë të kalojë në konflikt. Kjo është përgjegjësia jonë dhe gjatë katër viteve të fundit mendoj se kemi dëshmuar se është e mundur të kemi këtë marrëdhënie," tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë