Bota

Rusia kryen sulm masiv në Odesa, teksa mijëra ukrainas mbesin pa ngrohje

Nga Gazeta 'Si'- Rusia ka kryer një sulm masiv me dronë në qytetin-port ukrainas të Odesës, duke vrarë një grua dhe duke plagosur dhjetë të tjerë, përfshirë një djalë 9-vjeçar, thanë autoritetet më 15 nëntor.

Si pasojë e sulmeve, mijëra ukrainas kanë mbetur pa ngrohje qendrore, tha guvernatori rajonal, Oleh Kiper.

Kiper tha se një ndërtesë banimi në qendër të qytetit është shkatërruar plotësisht, ndërkaq disa ndërtesa të tjera banimi dhe dhjetëra makina janë dëmtuar. Ai tha po ashtu se linja kryesore për furnizim me ngrohje është goditur, duke detyruar autoritetet që ta ndalin furnizimin me ngrohje për afër 40.000 konsumatorë.

Po ashtu, sipas guvernatorit të Odesës, një maternitet, katër shkolla dhe shtatë çerdhe kanë mbetur pa ngrohje.

Ndërkaq, kryetari i Odesës, Hannadiy Trukhanov, tha se qyteti është goditur nga “një sulm i kombinuar masiv”.

Rusia, që ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, vazhdimisht sulmon infrastrukturën civile dhe energjetike të Ukrainës. Edhe në dimrat paraprak, sulmet e Moskës kanë shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike dhe ngrohje në Ukrainë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë