Bota

Vuçiç takon Orbanin në Budapest: Jo vetëm partnerë politikë por jemi edhe miq të sinqertë

Nga Gazeta 'Si' - Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është pritur në një takim në Budapest të enjten nga kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, në prag të një seance të Këshillit Strategjik për Bashkëpunim ndërmjet dy vendeve.

Vuçiç shkroi në llogarinë e vet në Instagram se Orbani dhe Qeverinë e tij “nuk janë vetëm partnerë strategjikë e politikë të Serbisë, por edhe miq të sinqertë”.

Zyra e Vuçiçit ka bërë të ditur se në seancën e Këshillit do të marrin pjesë edhe anëtarë të qeverive, të cilët pas seancës do të nënshkruajnë një sërë dokumentesh dypalëshe.

Kjo është seanca e dytë e Këshillit Strategjik për Bashkëpunim ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë.

E para u mbajt në qershor të vitit 2023 në Paliq, kur u nënshkruan disa marrëveshje bashkëpunimi, si dhe një marrëveshje për ndërtimin e një tubacioni nafte që do ta lidhë rafinerinë e Novi Sadit me Hungarinë.

Siç është paralajmëruar, ky tubacion duhet të ndërtohet deri në vitin 2027.

Serbia dhe Hungaria bashkëpunojnë edhe në çështjen e gazit. Në korrik 2023, ata nënshkruan një marrëveshje për krijimin e një kompanie të përbashkët tregtare të gazit.

Për shkak të mungesës së kapaciteteve të veta, Serbia ka marrë me qira edhe depo gazi nga Hungaria.

Vuçiçi dhe Orbani kanë theksuar vazhdimisht se marrëdhëniet mes Serbisë dhe Hungarisë janë në një “nivel të lartë dhe historik”, dhe Orban është ithtari kryesor i hyrjes së shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Në të njëjtën kohë, Serbia dhe Hungaria ruajnë marrëdhëniet e tyre edhe me Pekinin dhe Moskën, duke shkaktuar pakënaqësi në Bashkimin Evropian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë