Bota

Trump emëron Matt Gaetz si Prokuror të Përgjithshëm (nën hetim për trafikim seksual)

GazetaSi - Donald Trump ka emëruar supremacistin dhe anti-abortistin Matt Gaetz, 42 vjeç, si Prokurorin e ardhshëm të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Një vendim i mirëpritur nga Elon Musk, i cili e komentoi Gaetz në platformën e tij “X”, me fjalët, “po vjen çekiçi i drejtësisë”, por që në të njëjtën kohë ka lënë të tronditur Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së dhe shumë nga vetë republikanët.

Gaetz, në fakt, ishte subjekt i një hetimi federal për trafikimin seksual (ai dyshohej se kishte kryer marrëdhënie seksuale me një të mitur dhe kishte paguar për të), i cili përfundoi pa akuza në shkurt 2023, përveç se kishte sulmuar rregullisht në të kaluarën, si Departamentin e Drejtësisë, ashrtu edhe FBI.

Në vitin 2021, hetuesit federalë hetuan gjithashtu një udhëtim që Gaetz bëri në Bahamas me disa gra, për të parë nëse ato ishin paguar për të udhëtuar për qëllime seksuale.

Në përgjigje, zëdhënësi i tij, deklaroi: “Deputeti nuk ka paguar asnjëherë për seks dhe as që ka kryer marrëdhënie seksuale me të mitur. Ajo që filloi me titujt e bujshëm për 'trafikimin seksual', tani është kthyer në një ushtrim të përgjithshëm peshkimi për pushimet dhe marrëdhëniet konsensuale me të rriturit".

Sipas NBC News, zyrtarë të lartë të Departamentit të Drejtësisë, e quajtën vendimin "të çmendur", "me të vërtetë befasues" dhe "qesharak".

“Sa prokurorë të tjerë potencialë të përgjithshëm kishin përvojë të mëparshme si subjekte të një hetimi penal?”, - tha një punonjës i departamentit, ndërsa një tjetër, shtoi se Gaetz, është "personi më pak i kualifikuar" i emëruar ndonjëherë në një pozicion në departament.

Gaetz nuk ka punuar kurrë në departament apo edhe si prokuror në asnjë nivel, por ai është ndër aleatët më të vendosur të Donald Trump.

"Unë nuk mendoj se është një emërim serioz për Prokurorin e Përgjithshëm", - tha senatorja republikane, Lisa Murkowski.  "Sigurisht që nuk ishte në kartën time të bingos," shtoi ajo.

Ndërkohë, Komiteti dypartiak i Etikës, po heton sjelljen e mundshme të papërshtatshme seksuale dhe përdorimin e paligjshëm të drogës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë