Bota

Holanda pezullon marrëveshjen e Shengenit, rikthen kontrollet kufitare. Të njëjtën gjë bën edhe Norvegjia

Gazeta Si - Qeveria holandeze njoftoi mëngjesin e kësaj të mërkure Bashkimin Europian se nga fillimi i dhjetorit do të pezullojë traktatin e Shengenit dhe do të rivendosë kontrollet në kufijtë e saj për 6 muaj.

“Më 11 nëntor, Komisioni mori një njoftim nga autoritetet holandeze për rikthimin e kontrolleve kufitare nga 9 dhjetori deri më 8 qershor 2025. Si gjithmonë, Komisioni do të vlerësojë njoftimin dhe do të qëndrojë në kontakt të ngushtë me autoritetet”. Kështu tha zëdhënësja e Komisionit të BE-së gjatë konferencës ditore për shtyp.

Pas njoftimit të qeverisë për planet për të kufizuar emigracionin e parregullt dhe kontrabandën e emigrantëve, ministri holandez për Azilin dhe Migracionin, njoftoi të hënën fillimin e kontrolleve nga 12 shtatori.

Qeveria holandeze kishte njoftuar masa të paprecedenta për të frenuar emigracionin, duke përfshirë rivendosjen e kontrolleve kufitare.

Masat përfshijnë ndalim për të kufizuar anëtarët e familjes që mund të bashkohen me një person të cilit i është dhënë azil në Holandë, reduktimin e kohëzgjatjes së vizave të përkohshme dhe vullnetin për të deklaruar disa pjesë të Sirisë të shkatërruara nga lufta civile, si zona të sigurta, në mënyrë që autoritetet mund të refuzojnë kërkesat për azil të emigrantëve nga ato rajone. Sirianët përbëjnë grupin më të madh kombëtar të emigrantëve që mbërrijnë në Holandë.

“Ne duam ta bëjmë Holandën sa më jo-tërheqëse që të jetë e mundur”, tha ministri për Migracionin dhe Azilin, Marjolein Faber, një anëtar i Partisë nacionaliste dhe anti-Islame të Lirisë, të themeluar nga Geert Wilders.

Edhe Norvegjia, e cila tashmë po kufizonte lëvizjen e lirë të njerëzve, vendosi të zgjasë ndalimin e marrëveshjes së Shengenit deri më 1 dhjetor. 

Ministrja e Drejtësisë, Emilie Mahn tha se kjo masë po zgjerohet në përpjekje për të siguruar mbrojtje më të madhe të qytetarëve nga aktet e mundshme të terrorizmit.

Ndalesa e parë hyri në fuqi më 1 tetor. Norvegjia është një nga vendet jashtë BE-së (të tjerat janë Zvicra dhe Islanda), që kishte nënshkruar marrëveshje të lëvizjes së lirë me Evropën.

Por Haga dhe Oslo nuk janë të vetmet qeveri që kanë ngritur mure në kufij dhe traktati që supozohej ta bënte Evropën një zonë të lëvizjes së lirë, një territor të lirë, tashmë ka disa çarje.

Aktualisht, Gjermania ka rifutur gjithashtu kontrollet kufitare, një vendim i marrë nga kancelari socialdemokrat Scholz një ditë pas humbjes elektorale të pësuar në zgjedhjet e Saksonisë dhe Turingias me avancimin e AfD-së ultra-të djathtë ksenofobike.

Edhe Franca, e cila kishte rifutur masat e sigurisë për Lojërat Olimpike, nuk e ka hequr ende ndalimin e saj. Në fund, edhe Italia ka forcuar masat e kontrollit, por vetëm në kufirin me Slloveninë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë