Bota

Koreja e Veriut ratifikon një pakt të madh të mbrojtjes reciproke me Rusinë në rast lufte

Gazeta Si – Koreja e Veriut ka ratifikuar një pakt të madh të mbrojtjes reciproke me Rusinë, i cili parashikon ndihmë të menjëhershme të ndërsjellë ushtarake nëse ndonjë nga dy vendet sulmohet.

Rusia e kishte ratifikuar tashmë traktatin javën e kaluar. Të hënën, diktatori i Koresë së Veriut, Kim Jong Un nënshkroi një dekret për ratifikimin e paktit.

Siç raportohet nga agjencia lokale e lajmeve “KCNA”, pakti do të hyjë në fuqi kur të dy shtetet të kenë shkëmbyer dokumentet e nënshkruara.

Përveç ndihmës ushtarake, pakti parashikon që Rusia dhe Koreja e Veriut të bashkëpunojnë në sektorë strategjikë, si ekonomia dhe tregtia, hapësira, furnizimi me ushqim dhe energjia atomike për përdorime paqësore, raporton “Euronews”.

Ratifikimi i paktit nga Koreja e Veriut vjen pas disa javësh kritikash të forta ndërkombëtare, pasi vendi dërgoi mijëra trupa në Rusi për të luftuar kundër ushtrisë ukrainase.

Rreth dhjetë ditë më parë, Shtetet e Bashkuara konfirmuan se kishte të paktën 8,000 ushtarë të Koresë së Veriut në rajonin Kursk të Rusisë, i pushtuar nga Ukraina në gusht në një operacion shumë të shpejtë ushtarak.

Sipas zyrtarëve të qeverisë ukrainase dhe amerikane që folën në mënyrë anonime për “New York Times” ditët e fundit, sulmi i Rusisë është i pashmangshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë