Futboll

Ideja e re, Champions në fundjavë dhe kampionat në mesjavë

Ceferin dhe Anjeli po mendojnë për ndryshime në Champions League, që të shtojnë sa më shumë të ardhurat. Ka edhe një ide për katër grupe me nga tetë skuadra, por për momentin lajmi i publikuar nga prestigjiozja gjermane “Bild”, nuk konfirmohet nga UEFA.

Bota është në evoluim konstant dhe futbolli është pjesë e kësaj teorie, me disa të reja që janë gati të praktikohen, duke nisur nga Champions League, kompeticioni më i rëndësishëm europian për klube. “Bild” bën me dije se presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin, dhe ai i ECA-s, Andrea Anjeli, po mendojnë për një ndryshim rrënjësor të këtij kompeticioni. Çfarë ndryshimesh? Ndeshje të Championsit të shtunën dhe të dielën, ndërsa kampionati në mesjavë. Ndryshim tjetër mund të jetë një fazë me katër grupe, secili me nga tetë skuadra.

Real Madrid, kampioni në fuqi i Championsit

Arsyeja e ndryshimit të parë të mundshëm është e thjeshtë: me ndeshje Championsi në fundjavë do të shtoheshin të ardhurat. Të shtunën dhe të dielën, sigurisht që janë më të shumtë personat që kanë mundësi t’i shohin ndeshjet para televizorit dhe nëse miratohet ky ndryshim, do të “sakrifikohet” kampionati. Klubet që marrin pjesë në Champions, ndeshjet e kampionatit përkatës kombëtar do t’i luajnë në mesjavë. Ndryshimi i dytë mund të jetë ai i numrit të grupeve në Champions, duke qenë se ky kompeticion do të ketë 32 skuadra. Ideja është për t’i ndarë skuadrat në 4 grupe me nga 8 skuadra secili, në mënyrë që të shtohet numri i ndeshjeve për fazën në grupe. Nga 6 ndeshje që janë aktualisht në një grup, do të kalohej në 14 ndeshje, me të ardhura të shtuara për të gjithë.    

Por UEFA kërkon të marrë kohë dhe për momentin i ka hedhur poshtë këto ndryshime me anë të një komunikate zyrtare, ku shkruan: “UEFA dhe presidenti i saj, Ceferin, nuk kanë diskutuar për mundësinë e zhvillimit të ndeshjeve të Champions League në fundjavë. Informacioni që flet për të kundërtën nuk ka bazë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë