Bota

Amsterdam, plagosen 20 tifozë izraelitë nga grupe pro-palestinezë. Netanjahu dërgon avionë-shpëtimi

Gazeta Si - Mbrëmjen e së enjtes, gjatë ndeshjes së Europa League mes Makabi Tel Aviv dhe Ajaksit, 20 tifozë izraelitë u sulmuan dhe u plagosën nga protestuesit pro-palestinezë.

Për të qetësuar përplasjet, dhjetëra efektivë policie kanë ndërhyrë me mjete të ndryshme të njësisë lëvizëse. Policia më pas mbrojti dhe shoqëroi tifozët për në hotelin e tyre. Mbi 50 persona u arrestuan.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu urdhëroi dërgimin e dy avionëve në Amsterdam, në Holandë, të premten në mëngjes për të ndihmuar tifozët e Maccabi Tel Aviv.

Tensionet ishin rritur jashtëzakonisht të enjten, kur zyrtarët holandezë të zbatimit të ligjit thanë se ishin në gatishmëri, pasi raportuan disa incidente, duke përfshirë grisjen e një flamuri palestinez nga një fasadë "nga persona të panjohur".

Të enjten pasdite, rreth njëqind tifozë izraelitë u mblodhën në sheshin Dam - të rrethuar nga një prani e madhe agjentësh - përpara se të niseshin drejt stadiumit “Johan Cruyff”.

Një demonstratë pro-palestineze që dënonte vizitën e klubit izraelit ishte planifikuar fillimisht për zonën përreth stadiumit, por u zhvendos pak më tej në lagje nga Këshilli i Qytetit të Amsterdamit për arsye sigurie.

Kryeministri izraelit, në një shënim, e cilëson atë që ndodhi si "mizore" dhe shpjegon se dëshiron ta trajtojë atë "me seriozitetin më të madh".

Sipas asaj që raportohet nga “The Times of Israel”, disa tifozë të Makabi Tel Aviv, në Amsterdam për të ndjekur ndeshjen e skuadrës së tyre kundër Ajax (të fituar nga mikpritësit 5-0), folën për sulmues të maskuar, disa prej të cilëve me flamuj palestinezë , duke thirrur "Palestina e lirë".

Autoritetet lokale thonë se kanë kryer 57 arrestime gjithsej gjatë ditës. Ministri i ri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar (bëri betimin gjatë natës para Parlamentit), flet për dhjetë tifozë të Maccabi-t që u plagosën dhe denoncon se “ishte një pritë teksa po dilnin nga stadiumi”.

Saar "nënvizoi seriozitetin me të cilin Izraeli i sheh sulmet e dhunshme në shkallë të gjerë kundër qytetarëve të tij në Amsterdam" dhe gjithashtu i kërkoi homologut të tij holandez, Kasper Veldkamp të lehtësonte transferimin e izraelitëve nga hotelet e tyre në aeroport.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë