Gazeta Si - Disa rreshta të publikuara nga Ministria Kineze e Sigurisë së Shtetit në profilin e saj "WeChat" (rrjeti kryesor social në vend), shpall dënimin me vdekje për spiunazh të një "ish-zyrtari të lartë qeveritar, i cili i kishte përcjellë agjencive inteligjente të huaja një numër të madh sekretesh dhe dokumentesh të klasifikuara".
Tradhtari përmendet vetëm me mbiemrin e tij Zhang. Heshtje për detyrën e tij dhe për "fuqinë e huaj", së cilës ai i kishte shitur informacionin top sekret.
Në këto çështje, shërbimet sekrete në mbarë botën përpiqen t'i mbajnë kufijtë të paqartë, në mënyrë që të mos i japin përparësi të mëtejshme armikut.
Lajmi i dënimit me vdekje zbulon vetëm se Zhang "kishte akses në shumë sekrete shtetërore për shkak të punës së tij" dhe se pas largimit nga detyra, ishte blerë nga një shërbim sekret i huaj. "Zhang ishte i dobët në karakter dhe e lejoi veten të bindej të tradhtonte me para".
Në rindërtimin e shkurtër, Sigurimi i Shtetit Kinez shton vetëm se zyrtari i kthyer në spiun ishte "marrë" nga një agjent kundërshtar i quajtur Li, i cili i kishte premtuar se do t'i hapte dyert e "mënyrave ekzotike të jetesës" për të dhe e kishte vënë nën kontratë si "agjent të dyfishtë”.
Një koleg i Zhang-ut, i identifikuar vetëm si Zhu, ishte gjithashtu pjesë e komplotit, por ai duhet të ketë pasur një rol të vogël ose ndoshta ka ndihmuar kundërzbulimin kinez me një rrëfim të plotë, sepse dënimi i tij është gjashtë vjet burg.
Tradhtari Zhang, megjithatë, do të përfundojë para xhelatit: dënimi i tij me vdekje në fakt nuk përfshin pezullimin dyvjeçar të dënimit, që është formula e përdorur nga gjykatat e Republikës Popullore të Kinës, kur fajtori bashkëpunon me hetimet, pendohet dhe mund të shpresojë për mëshirë.
Vitet e fundit, Pekini ka publikuar shumë luftën e spiunëve kundër fuqive të huaja, duke përdorur shtypin dhe mediat sociale.
Në shtator, Sigurimi i Shtetit paralajmëroi studentët e universitetit që të mos bien në grackat e ngritura nga "burra apo gra të bukura", të cilët mund të përpiqen t'i fusin për të vjedhur sekretet kombëtare.
CIA gjithashtu përdor mediat sociale: në përpjekje për të rekrutuar informatorë. Në tetor, agjencia e inteligjencës amerikane nisi një fushatë me thirrje në gjuhën kineze të publikuara në Instagram, Facebook, Lindedin.
“Ne jemi të sigurt se ka shumë kinezë me akses në informacione të dobishme, të cilët janë të zhgënjyer me regjimin në Pekin”, - tha zëvendësdrejtori i CIA-s, David Cohen, duke komentuar fushatën.
Lëvizja e inteligjencës amerikane, megjithatë, pranon efektivisht vështirësinë e gjetjes së burimeve kineze për aktivitetin e inteligjencës: midis 2010 dhe 2012, spiunazhi amerikan pësoi një shkatërrim në Kinë, me një duzinë informatorësh të pushkatuar.
Një operacion i mbështjellë natyrshëm në fshehtësi, i shkaktuar nga tradhtia e një oficeri të CIA-s, i cili ia kaloi Pekinit emrat e anëtarëve të rrjetit të tij klandestin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.