Bota

Mesazh Serbisë? Borell: Nuk mund të bëheni anëtare e BE-së dhe të mbani marrëdhënie me Rusinë

Nga Gazeta ‘Si’- Teksa prezantoi raportin vjetor të zgjerimit, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell tha se procesi i integrimit europian për Kosovën dhe Serbinë dhe normalizimi i marrëdhënieve të tyre varen nga njëra-tjetra.

“Si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën, dinamika e zgjerimit dhe përparimi në dialog me qëllimin e normalizimit të marrëdhënieve duhet të ecin paralelisht. Nuk mund të bësh një gjë dhe tjetrën jo”, tha Borell.

Ai pati edhe një mesazh në mënyrë indirekte për Serbinë, ndonëse nuk ia përmendi emrin.

“Ju thjesht nuk mund të mbani marrëdhënie me Rusinë, ose të tentoni të bëni biznes gjithashtu, dhe të prisni që vendi juaj të jetë pjesë e BE-së. Duhet të zgjedhësh njërën ose tjetrën”, tha Borell.

Serbia është një prej pak vendeve të Europës që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Në disa raste Beogradi zyrtar e ka dënuar agresionin dhe shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës, mirëpo vazhdon të kultivojë raporte të ngrohta me Moskën.

Borrell theksoi gjithashtu përputhjen e Kosovës me politikën e jashtme të BE-së, edhe pse ende nuk është vend kandidat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë