Gazeta Si – Grupi Hezbollah më Liban, ka emëruar Naim Qassem si pasues të liderit të vet të vrarë, Hassan Nasrallah, njoftoi të martën organizata e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Këshilli Shura [qeverisës] i Hezbollahut pranoi ta emërojë… Sheikh Naim Qassem sekretar të Përgjithshëm të partisë”, tha grupi i mbështetur nga Irani në një komunikatë.
Qassem ka qenë zëvendëssekretar i Përgjithshëm i Hezbollahut prej vitit 1991, kur u zgjodh zëvendës i Abbas al-Musawit, liderit të atëhershëm të grupit i cili ishte vrarë nga një sulm izraelit më 1992.
Qassem e ka mbajtur këtë post kur Nasrallahu e mori drejtimin e grupit dhe shpesh ka punuar edhe si zëdhënës i Hezbollahut.
Nasrallahu u vra nga bombardimet izraelite muajin e kaluar, ndërsa një javë më vonë u vra edhe Hashem Safieddine, njeriu që pritej të emërohej pasues i tij.
Qassem është përfshirë në organizimin e fushatave zgjedhore të Hezbollahut për Parlamentin e Libanit prej se ky grup mori pjesë për herë të parë në zgjedhjet e vitit 1992.
Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.