Drejtësia

Pak muaj pasi u lirua, arrestohet sërish në Dubai Durim Bami

Nga Gazeta 'Si'- Një nga eksponentët më të njohur të krimit në vendin tonë, Durim Bami është arrestuar për herë të dytë në Dubai. 

Konkretisht sipas burimeve arrestimi i tij është kryer nga policia e Dubait në datën 21 Tetor 2024, dhe që prej asaj dite po mbahet i izoluar.

Ende nuk dihet asnjë informacion me saktësi se çfarë e solli arrestimin e tij për herë të dytë. Sipas raportimeve, arsyeja e arrestimit po mbahet në mënyrë diskrete nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Posaçme. 

Herën e parë, ai u ndalua për llogari të SPAK në muajin qershor 2024, pasi prokurorët e posaçëm kishin lëshuar në muajin maj një mandat arresti si i përfshirë në kultivimin e parcelave të drogës në zonën e Fushë-Krujës, sigurimin e kushteve për të vrarë ish-deputetin e PS në Lezhë, Arben Ndoka si dhe sigurimin e kushteve për të vrarë dy miqtë e Ervis Martinaj, Erigers Mihasin dhe Hektor alias Tori Xheçuka.

Por për këtë arrestim, Durim Bami, mundi të lirohet nga gjykata e Dubait pavarësisht se ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme premtuan sjelljen e tij para drejtësisë.

Ende nuk dihet me saktësi nëse ndaj Durim Bamit është lëshuar një masë sigurimi e dytë “arrest me burg” nga SPAK, që detyroi policinë e Dubait të rivihet në lëvizje për të arrestuar për herë të dytë, Durim Bamin.

Tashmë Bami mund të jetë në procedurat e një ekstradimi të mundshëm apo riatdhesimi të menjëhershëm, siç ndodhi me rastin e Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj, dy njerëzve të grupit të Durrësit të akuzuar për atentatin ndaj Landi Muharremit dhe prokurorit, Arjan Ndoja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë