Gazeta Si – Filantropi dhe miliarderi Bill Gates, ka dhuruar 50 milionë dollarë për “Future Forward”, një organizatë jofitimprurëse që mbështet kandidaturën e Kamala Harris, e administruar nga miliarderi dhe ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Michael Bloomberg.
Lajmi bëhet ditur nga “New York Times”, duke cituar disa burime. Ndërsa sipas gazetës “Wall Street Journal”, Gates synonte ta mbante donacionin privat, pasi ai nuk e mbështeti publikisht kandidimin e nënpresidentes amerikane për Shtëpinë e Bardhë.
Në disa biseda private, themeluesi dhe ish-CEO i Microsoft tha se ishte i shqetësuar për një presidencë të dytë të Donald Trump.
“Unë mbështes kandidatët që demonstrojnë një angazhim të qartë për përmirësimin e kujdesit shëndetësor, uljen e varfërisë dhe luftimin e ndryshimeve klimatike në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën. Këto zgjedhje janë të ndryshme me rëndësinë e tyre të paprecedentë për amerikanët dhe më të dobëtit në botë”, tha Gates për “New York Times” pa e konfirmuar apo mohuar donacionin.
Ndërkohë, Kamala Harris dhe ekipi i saj janë gati “në rast se Donald Trump tenton të përmbysë zgjedhjet presidenciale”, duke shpallur fitoren përpara se të përfundojë numërimi i votave.
Vetë zëvendëspresidentja dhe kandidatja demokrate e tha këtë në një intervistë për rrjetin NBC News: “Ne do të merremi me natën e zgjedhjeve dhe ditët në vijim dhe kemi burimet, kompetencën dhe vëmendjen për këtë”, – i tha Harris gazetares Hallie Jackson.
“Ky është një person, Donald Trump, i cili kërkoi të anulojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, i cili ende mohon vullnetin e popullit, i cili nxiti një turmë të dhunshme për të sulmuar Kapitolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, – tha Harris, duke iu referuar 6 janarit 2021. – Kjo është një çështje serioze”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.