Rend dhe Ligj

DhunA në Kuvend, policia çon në SPAK 7 deputetë të PD. Elda Hotin për ‘kanosje e shkelje të rregullave mbi lëndët helmuese’

Gazeta Si – Pas dhunës dhe kaosit brenda dhe jashtë Kuvendit, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, ka referuar në SPAK në gjendje të lirë 7 deputetë të Partisë Demokratike me akuzat për “Kanosja”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë dhe rendit publik”.

Në një njoftim për mediat, policia thotë se deputetja Elda Hoti, 32 vjeçe, akuzohet për veprën penale, "Kanosja" dhe "Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese".

Ndërsa për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë dhe rendit publik, janë çuar në SPAK edhe deputetët Flamur Noka 53 vjeç, Bledion Nallbati 38 vjeç, Gazment Bardhi 39 vjeç, Dashamir Sula 55 vjeç, Luan Baçi 61 vjeç dhe Saimir Korreshi 43 vjeç.

Gjatë seancës së djeshme, Hoti u pa teksa spërkaste nga disa kuti të vogla sallën e Parlamentit dhe pengoi seancën, teksa u dyshua se ishin me përmbajtje lënde djegëse benzinë. Vetë Hoti tha se ishte aromatizues, kurse verifikimet vijojnë.

"Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë në lidhje me tubimin e zhvilluar ditën e djeshme, në vijim të veprimeve hetimore të kryera, ka referuar materialet në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në gjendje të lirë për shtetasit:

  • E. H., 32 vjeçe, për veprën penale "Kanosja" dhe "Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese";
  • F. N., 53 vjeç, B. N., 38 vjeç, G. B., 39 vjeç, D. S., 55 vjeç, L. B., 61 vjeç, dhe S. K., 43 vjeç, për veprën penale "Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik".

“Ditën e djeshme, në ambientet e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, shtetasja E. H., ka hedhur në drejtim të deputetëve një lëndë të lëngshme të paidentifikuar, ndërsa në hyrje të godinës së Kuvendit të Shqipërisë, shtetasit F. N., B. N., G. B., D. S., L. B., dhe S. K., kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë të planëzuar me shërbim”, - thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë, 6 protestues që ishin te Bashkia e Tiranës, ku dogjën goma dhe që u zhvendosën më pas përpara Parlamentit, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë nga Policia e Tiranës.

Kështu, është proceduar penalisht në gjendje të lirë 60-vjeçarja Adriana Kalaja për prishje të rendit dhe qetësisë publike, ndotja e ajrit, ujërave e tokës, si dhe për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme.

Ndërsa 5 të tjerët, K. B. 22 vjeç, K. B. 35 vjeç, I. T. 49 vjeç, A. H. 45 vjeç dhe S. N., 38 vjeç akuzohen për kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik dhe organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë