Politike

Spiropali i shpjegon opozitës mosbindjen civile! I përgjigjet Bardhi: Leksion nga burgu i Pëllumb Gjokës

Gazeta Si - Pas incidenteve që u krijuan brenda dhe jashtë Parlamentit, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali shpjegon se edhe pse është e hershme si formë revolte, mosbindja civile nuk e lejon kurrsesi dhunën.

Por kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, shpjegoi përmes rrjeteve sociale se leksionet nga burgu të krimit të organizuar shpërfillin ligjin.

Kryeparlamentarja shkruan në Facebook se "mosbindja civile është një nga krijimet më të bukura të angazhimit qytetar e politik në historinë e njerëzimit".

Ajo shton se forca e dhuna fizike, përplasjet trupore, kërcënimet verbale, djegia e shkatërrimi, apo çfarëdo shprehje e përfshirë së fundmi nga opozitarët tanë në konceptin e “Mosbindjes Civile”, nuk mund t’i imponohen dot kurrë Kuvendit të Shqipërisë si të drejta demokratike të askujt.

"Mosbindja civile është një nga krijimet më të bukura të angazhimit qytetar e politik në historinë e njerëzimit. Thelbi i saj i pandryshueshëm, qysh me Sokratin në Greqinë e Lashtë, i cili predikonte vënien në pikëpyetje të së drejtës morale të autoriteteve për një ligj të padrejtë, e deri tek Mahatma Gandi. Ai e gjunjëzoi Perandorinë Britanike, duke u ulur i pari në gjunjë derisa me miliona vetë u ulën pas tij në rrugët e Indisë. Ballë për ballë grykëve të pushkëve të batalioneve të regjimit kolonial. I cili hapte zjarr në trupat e tyre dhe të mosbindurit civilë nuk lëviznin nga vendi, është refuzimi absolut, i dhunës si mjet për imponimin e një të drejte të mohuar.

Beteja të tëra epike të njerëzimit për heqjen e skllavërisë, të drejtën e votës për gratë, anullimin e ligjeve raciste, fundin e aparteidit në Afrikën e Jugut, u furnizuan me energjinë e pandalshme morale dhe rezistencën e hekurt shpirtërore të mosbindjes civile. Mosbindja civile e përjashton kategorikisht ngritjen e dorës për të demonstruar forcë dhe synon krijimin e një kontrasti moral paralizues, mes trupave të protestuesve paqësorë dhe korpusit të një padrejtësie shtetërore të perceptuar si të tillë nga shoqëria.

Mosbindja civile mishërohet nga individë që i kundërvihen ligjërimit të një padrejtësie, duke marrë përsipër ta thyejnë paqësisht ligjin e padrejtë dhe duke pranuar paqësisht pasojën personale të shkeljes së atij ligji. Mosbindja civile përmes guximit po edhe sakrificës vetjake, i kontribuon arritjes së zgjidhjes me drejtësi, jo përmes dhunës, po përmes masivizimit të ndjeshmërisë popullore që në fund ia del ta imponojë të drejtën e mohuar, si një lloj shah mati për autoritetet.

Kjo është, me fjalë të shkurtra, përmbajtja e konceptit të mosbindjes civile dhe kështu e ka çarë rrugën e historisë forca krijuese e mosbindjes civile, në një sërë ngjarjesh të jashtëzakonshme politike e shoqërore për liritë e të drejtat njerëzore. Asgjë më e largët me përmbajtjen e thellë morale dhe formën cfilitëse të durimit të mosbindjes civile, nuk mund të imagjinohet dot, se sa përçudnimi i dhimbshëm i opozitarizmit politik e mediatik të kësaj vjeshte. Keqardhje e madhe! Por sidoqoftë, forca e dhuna fizike, përplasjet trupore, kërcënimet verbale, djegia e shkatërrimi, apo çfarëdo shprehje e përfshirë së fundmi nga opozitarët tanë në konceptin e “Mosbindjes Civile”, nuk mund t’i imponohen dot kurrë Kuvendit të Shqipërisë si të drejta demokratike të askujt", - shprehet Spiropali.

Asaj i është përgjigjur kreu i grupit parlamentar Gazmend Bardhi, i cili shkruan se ka dhënë leksion nga burgu Pëllumb Gjoka përmes zyrës për shtyp të Kuvendit se cili është kuptimi filozofik i “mosbindjes civile”.

"Na paska dhënë leksion nga burgu Pëllumb Gjoka përmes zyrës për shtyp të Kuvendit se cili është kuptimi filozofik i “mosbindjes civile”! Mosbindja civile në kuptimin e Pëllumbave në Kuvend është që krimi i organizuar të shpërfill ligjin dhe të mbretërojë në çdo institucion!", - komenton Gaz Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë