Politike

Opozita sposton protestën nga Bashkia te Kuvendi. Deputetët e PD përplasen fizikisht me Policinë. Bardhi: Forcat Speciale kërcënuan me armë 2 deputetë (foto, video)

Nga Gazeta ‘Si’- Protesta e opozitës u bë me intensive, teksa grupi i demokratëve që po tubonte para Bashkisë së Tiranës iu bashkua deputetëve të PD para godinës së Kuvendit të Shqipërisë.

Ata kanë arritur në pak çaste të hapin portën metalike para Parlamentit, duke kapur në befasi policinë.

Për disa momente tensionet vijojnë para Parlamentit, ku janë shtuar forcat e rendit dhe efektivët e gardës.

Edhe pse me skafandra dhe mburoja, deputetët e PD sulmuan dhunshëm efektivët, duke kërkuar pse ishte prezente Policia, pasi sipas ligjit duhet të jetë vetëm Garda.

Deputetët më aktivë në tensione dhe sulme kanë qenë Dashnor Sula dhe Gazment Bardhi, të shoqëruar nga Flamur Noka dhe Bledjon Nallbati.

Sula u pa i përi teksa kapte mburojat e policëve dhe skafandrat për t’i hequr dhe larguar, teksa pati edhe dëmtime. Bardhi e ka ndihmuar më tej, duke kërkuar largimin e Policisë nga territori i parlamentit.

“Çfarë do Policia këtu. Largohuni. Turp, turp. Ikni, mbajeni mend! Largohuni prej këtu, s’keni punë në Kuvend”, ishte akuza e deputetëve të opozitës.

Për tensionet në hyrje të Kuvendit të Shqipërisë, Gazment Bardhi është shprehur për mediat se forcat e policisë u kanë drejtuar armën.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së tha se nuk ka ndodhur kurrë që forcat e policisë të hyjnë dhe të dhunojnë deputetët.

“Kanë rrethuar deputetët e Kuvendi të Shqipërisë. U kanë drejtuar armën, i kanë qëlluar në vendin e punës. Nuk ka ndodhur kurrë që forcat e policisë të hyjnë dhe të dhunojnë deputetët”, tha Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë