Bota

Kamala Harris flet për ‘Fox News’: Presidenca ime nuk do të jetë vazhdim i Joe Bidenit

Gazeta Si – Presidenca e Kamala Harris, nëse zgjidhet në nëntor, “nuk do të jetë vazhdim” i asaj që drejtohet nga presidenti aktual demokrat i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Vetë zëvendëspresidentja e deklaroi këtë kur u intervistua nga rrjeti “Fox News”, duke nënvizuar dëshirën e saj për të “kthyer faqen” në situatat në të cilat “njerëzit sinqerisht janë të rraskapitur” dhe për të “diferencuar veten” nga paraardhësi i saj.

Harris shprehu keqardhje për vdekjen e grave që u vranë nga njerëz të cilët ishin arrestuar dhe pastaj liruar pasi kishin shkuar jashtëligjshëm në SHBA gjatë administratës Biden. Por, ajo e kritikoi ish-presidentin Donald Trump për rolin e tij në bllokimin e projektligjit dypartiak për emigracionin në fillim të këtij viti, i cili do ta kishte rritur financimin kufitar.

“Më vjen keq për humbjen e saj, sinqerisht”, tha Harris pasi gazetari Baier shfaqi pamje të nënës së Jocelyn Nungaray duke fajësuar Bidenin dhe Harrisin për vdekjen e vajzës së saj.

Harris la të kuptohej se nuk e mbështet më dekriminalizimin e hyrjes së jashtëligjshme në SHBA, siç kishte bërë më 2019.

“Kjo ishte para pesë vjetëve dhe jam shumë e qartë se do ta zbatoj ligjin”, tha ajo. Ajo e dha përgjigjen e njëjtë edhe për propozimet që ata të cilët hyjnë jashtëligjshëm në SHBA të lejohen të marrin patentë shofer dhe benificione në shëndetësi.

Kur gazetari Baier vazhdoi të fliste derisa Harrisi po tentonte të përgjigjej në pyetjet e tij sfiduese për emigracionin, Harrisi tha: “A mund ta mbroj, ju lutem?… Duhet të më lejoni ta mbaroj, ju lutem”.

Harris u përpoq vazhdimisht ta përqendrojë bisedën në sulmimin e Trumpit, kundërshtarit të saj në zgjedhjet e 5 nëntorit. Megjithatë, ajo kishte shumë për të thënë edhe për veten.

Një javë pasi tha se nuk ka asnjë vendim që e ka marrë Biden të cilin ajo do ta kishte marrë më ndryshe, Harris këmbënguli: “Presidenca ime nuk do të jetë vazhdimësi e presidencës së Joe Bidenit”.

Ajo nuk dha hollësi, por theksoi se “si çdo president i ri që e merr detyrën, edhe unë do t’i sjell përvojat e mia jetësore, përvojat e mia personale dhe ide të reja dhe freskëta”.

E pyetur të sqarojë këmbëngulësinë e saj se dëshiron të bëjë ndryshime, edhe pse demokratët janë në pushtet, Harris tha se ajo po garon “për një fillim të ri pasi gjatë dekadës së fundit ne jemi ngarkuar nga një retorik që vjen nga Donald Trump”.

Për Trumpin, ajo tha se “njerëzit janë lodhur nga një njeri i cili pretendon të jetë lider dhe e kalon tërë kohën duke poshtëruar dhe duke bërë ankesa personale. Ai nuk është i qëndrueshëm”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë