Politike

Celibashi: Të përmirësohet ligji për monitorimin e financimit të partive politike

Nga Gazeta 'Si'- Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tha sot se ka vend për të përmirësuar mekanizmin ligjor për monitorimin e financimit të partive politike dhe subjekteve politike.

Gjatë raportimit në Komisionin e Posaçëm për Dezinformimin, Celibashi tha se procesi i monitorimit nga ana e KQZ-së, bëhet vetëm nga të dhënat empirike që deklarojnë partitë politike, por është e pamundur për të procesuar mbi një investigim të thelluar, mbi ato shifra që subjektet zgjedhore kanë paraqitur.

Celibashi kërkoi që Kuvendi dhe partitë politike të adresojnë këtë shqetësim nëpërmjet ndryshimeve përkatëse të Kodit Zgjedhor.

“Ka vend për të përmirësuar veçanërisht mekanizmat e kontrollit të mbikëqyrjes së financimeve. Në lidhje me financimin nga subjekte të huaja apo shtete të huaja, do të duhet të pranoj dhe ju besoj e  dini kaq mirë që është e vështirë për të mos thënë pamundur për KQZ për të marrë informacion me këtë lloj natyre financimi. Do të ishte naive për këdo që nëpërmjet mekanizmave të KQZ të merret informacion dhe të vlerësonte dhe monitoronte, financimet që vijnë nga veprimtari të paligjshme, kriminale apo edhe nga shtete të huaja. Deri më sot në KQZ nuk ka ndonjë raportim qoftë edhe indirekt në lidhje me këtë çështje.

Janë satelitë të tjerë, subjekte të tjerë, satelitë të kësaj partie të cilët zhvillojnë veprimtarinë e tyre për qëllime elektorale të kësaj partie, organizata të shoqërisë civile, ente, apo sindikata le të themi. Pak a shumë janë persona juridikë të cilët formalisht nuk kanë asnjë lidhje me partitë politike, por qartazi janë të angazhuar në fushata zgjedhore dhe marrin financime. Nuk ka asnjë detyrim ligjor për të raportuar se nga i marrin këto financime.

Procesi i monitorimit të financimit të partive politike nga ana jonë bëhet vetë nga një monitorim empirik. E kemi të pamundur për të procesuar mbi një investigim të thelluar, ato shifra që subjektet zgjedhore kanë paraqitur”, u shpreh Celibashi.

Ai bëri me dije se ka nevojë për specifikime të mëtejshme në lidhje me kategorinë e subjekteve që financojnë si partitë politike apo dhe subjektet zgjedhore, mbi mekanizmat monitorues dhe verifikues të financimit si dhe masën e financimit.

“Ka goxha vend të përmirësohet mekanizmi i monitorimit, verifikimit për KQZ-në, nëse do të vazhdojë të jetë KQZ institucioni që do të ketë tagrin për të mbikëqyrur financimin e partive politike apo subjekteve zgjedhore. Mendoj se mjaftueshëm është një institucion”, u shpreh Celibashi.

Në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”, mungoi sërish opozita, e cila nuk ka marrë pjesë në asnjë mbledhje të tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë