Politike

‘Djathtas 1912’, parti pa kryetar, por me ambicie. Arbi Agalliu: Vijat e kuqe për listën e përbashkët të opozitës në zgjedhje

Nga Gazeta 'Si' - Partia e re opozitare “Djathtas 1912” nuk do të ketë kryetar deri pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.

Ish-demokratët, që i dolën kundër Berishës dhe Bashës, figurën më përfaqësuese kanë Enkelejd Alibeajn, por partinë do ta drejtojnë së bashku, pa kryetar.

Pak detaje nga mënyra e organizimit i sqaroi për Gazetasi.al, deputeti Arbi Agalliu.

”Partia 'Djathtas 1912' do të drejtohet në formë kolegjialiteti nga një pjesë e grupit të nismëtarëve deri në fund të zgjedhjeve 2025. Pas përfundimit të zgjedhjeve, partia do të organizojë strukturat dhe do të zgjedhë forumet”- tha zoti Agalliu, i cili e konturoi këtë forcë të re politike si një përpjekje për t’u ndarë nga e shkuara korruptive brenda

PD-së. Përsa i përket të ardhmes elektorale, Arbi Agalliu e ka të qartë se fragmentarizimi i elektoratit opozitar në disa parti shkon në favor të kundërshtarit politik Edi Rama, prandaj mesazhi i tij për partitë opozitare është i qartë.

“Mendimi im personal është që në zgjedhjet 2025 të paraqitemi me një listë të përbashkët me të gjitha partitë e tjera parlamentare ose joparlamentare, të cilat ndajnë të njëjtin qendrim ndaj kësaj qeverie, që kërkojnë largimin e saj.”- u shpreh deputeti Agalliu gjatë intervistës për Gazetasi.al duke treguar se cilat janë vijat e kuqe që ndalojnë bashkëpunimin në opozitë. Dhe nuk ka dyshim se ky mesazh i drejtohet PD-së së Berishës.

Gazeta Si: “Djathtas 1912”, një parti më shumë në opozitë, por çfarë sjell ndryshe nga PD, ku të gjithë ju bënit pjesë më parë?

Arbi Agalliu: Partia “Djathtas 1912” dallon qartësisht nga PD-ja, sepse po vijon atë mision që nisën një grup kolegësh dhe demokratësh në shtator 2021, kur kërkuan ndarjen përfundimtare nga e shkuara korruptive dhe me probleme e PD-së dhe krijimin  e një alternative reale dhe të së djathtës në Shqipëri. Fatkeqësisht, PD, në vitin 2013 nuk bëri një analizë të thellë të situatës dhe arsyeve të humbjes atëherë, gjë që krijoi pështjellimin e ngjarjeve dhe çuan në zvogëlimin gjithnjë e më tepër të PD-së dhe e larguan atë çdo ditë e më shumë nga pushteti.  

Gazeta Si: Kush do ta drejtojë partinë deri në zgjedhjen e forumeve? Kur do të zgjidhen ato?

Arbi Agalliu: Partia “Djathtas 1912” do të drejtohet në formë kolegjialiteti nga një pjesë e grupit të nismëtarëve deri në fund të zgjedhjeve 2025. Pas përfundimit të zgjedhjeve, partia do të shkojë për organizimin e strukturave të saj, forumeve të saj deri në përmbylljen e strukturës kombëtare partiake.

Gazeta Si: A keni diçka të re në statut apo diçka ndryshe nga të tjerët, që mund të sjellë një frymë demokratike në partinë tuaj të re?

Alibeaj dhe Agalliu

Arbi Agalliu: Risi është fakti i krijimit të kësaj force nën filizofinë që i qendron larg kryetarokracisë, një partie ku mbizotëron sipërmarrja për akte të ndryshme politike, por që do të duhet të ruhet konturi i Kartës sonë të Parimeve dhe Vlerave. Po kështu, në statut janë vendosur instrumenta të caktuar, siç është pranimi nga kandidatët që do të garojnë për deputetë, që ata të futen në listën finale të partisë duke u bazuar në parimin e listave të hapura me njëri-tjetrin. Janë elementë të cilët garantojnë një qasje ndryshe nga partitë e tjera, të cilat rendin të shkojnë në zgjedhje me lista të mbyllura për të siguruar mandatin e atyre individëve që janë vegël e kryetarit të partisë. “

Gazeta Si: Retorika juaj e derisotme është me një qendrim të forte antiberishë. Demokratët që nuk duan zotin Berisha janë elektorati bazë që ju synoni?

Arbi Agalliu: Nuk do të doja fare të merresha me faktin nëse dikush është antiberishist apo të përdor terminologji të tjera. Kjo parti u drejtohet të gjithë atyre shqiptarëve të cilët nuk besojnë më jo vetëm tek kjo qeveri e korruptuar dhe qeveri e skandaleve, e cila e ka bërë Shqipërinë gjithnjë e më të vogël në raportin e popullsisë dhe gjithmonë e më pak kompetitive në aspektin ekonomik, por edhe pjesës së votuesve të djathtë që fatkeqëisht nuk e gjejnë më veten tek PD. PD çedoi nga mbrojtja e interesit të qytetarit, të votuesit të djathtë dhe të shqiptarëve dhe shkoi tek mbrojtja e interesave të caktuara të individëve që kanë problemet e tyre personale. Ndaj, në këtë kontekst, partia “Djathtas 1912” këkron të përfaqësojë të gjithë këta qytetarë që nuk e gjejnë veten në këto dy forca politike, që mundohen ta mbajnë të mbyllur hapësirën për partitë e reja.

Gazeta Si: Cili është objektivi i partisë suaj të re në raport me zgjedhjet?

Arbi Agalliu: Synimi është shumë i qartë: të paraqitemi në zgjedhjet 2025 me një listë dinjitoze kanddatësh për deputetë, të cilët, duke zbatuar midis tyre parimin e listave të hapura, do të bënin të mundur maksimizimin e votës në çdo qark. Patjetër që është e vështirë, por ky është një synim i vendosur tashmë dhe do të punohet me të gjitha mënyrat dhe mjetet demokratike për të maksimizuar votën.

Gazeta Si: A jeni të hapur për një koalicion me PD të drejtuar nga zoti Berisha? 

Arbi Agalliu: PD drejtohet sot nga një individ i cili është non grata në SHBA, Britaninë e Madhe dhe që ka probleme me drejtësinë. Lidershipi i kësaj partie akuzon vendet simbol të demokracisë, siç janë SHBA, akuzon sistemin e drejtëssë, duke e quajtur SPAK-un organiztaë kriminale, një strukturë që, në fakt, po lufton korrupsionin, pavarësisht 1001 problemeve që mund të ketë. Nuk besoj se me një subjekt të tillë, që i shpall luftë drejtësisë, i shpall luftë anglo-amerikavë si njëherë e një kohë, të ketë hapësira për të bashkëpunuar. Patjetër, bashkëpunimi do të jetë maksimal, nëse PD do të drejtohet nga një lidership që nuk ka probleme të këtij lloji. Prezenca e një lidershipi të tillë është një nga arsyet e krijimit të forcës sonë politike, ”Djathtas 1912”, pasi u vu re që lufta për të mbajtur një parti për arsye personale shkonte përtej arsyes dhe logjikës. Ne do të jemi të hapur me këdo individ apo subjekt që nuk Ii kalon vijat e kuqe.

Gazeta Si: “Djathtas 1912” do të dalë vetëm në zgjedhje apo do të bashkoheni me parti të tjera opozitare?

Arbi Agalliu: Mendimi im personal është që në zgjedhjet 2025 të paraqitemi me një listë të përbashkët me të gjitha partitë e tjera parlamentare ose jo, të cilat ndajnë të njëjtin qendrim ndaj kësaj qeverie, që kërkojnë largimin e saj.

Gjithashtu, është e nevojshme të zbatohet e dhe parimi i listave të hapura brenda vetes. Jemi të vetëdijshëm që fragmentarizimi i votës nuk është zgjidhje, ndaj të gjitha ato parti që mendojnë se do të duhet të çahet ky sistem do të duhet të jenë të bashkuara në një listë të vetme në zgjedhjet 2025.

Gazeta Si: Çfarë raporti ka partia “Djathtas 1912” me zotin Basha, i cili po pret vendimin e Gjykatës së Lartë për çështjen e vulës dhe logos së PD-së? Ka ndonjë shans t’ju bashkohet?

Arbi Agalliu: Bashkëpunimi vlen për këdo individ, subjekt, lëvizje që ndan këto parime. Askush nu mund të përjashtohet, nëse ekziston dëshira për të luftuar këtë qeveri dhe, mbi të gjitha, për të thyer këtë dualizëm të politikës midis dy partive, PD dhe PS, të cilat, pavaësisht se janë në minorancë në raport me zgjedhësit, me artificat e tyre në Kodin Zgjedhor, mbajnë me kthetra pushtetin politik.

Gazeta Si: Fragmentimi i votës opozitare në disa parti e favorizon kundërshtarin tuaj politik, PS, që qendron e bashkuar rreth kryetarit Edi Rama. Mendoni se zgjedhjet me opozitë të ndarë e kanë të paracaktuar humbësin?

Arbi Agalliu: Fragmentarizimi i votës është një shqetësim që diskutohet shpeshherë mes nesh. Këtu do të duken edhe ata që janë kundër kësaj qeverie apo që kërkojnë të futen në zgjedhje për arsye të tjera të caktuara. Personalisht, jam në koherencë me veten time me vendimet e datës 9 shtator 2021 nga lidershipi i atëhershëm i PD-së.

Zhvillimet politike bënë që ky grupim individësh që mbështetën këtë lëvizje të humbasë vulën dhe logon e PD-së, ndaj është e nevojshme që të gjithë qytetarët që ndihen të papërfaqësuar nga PD të shikojnë mundëisinë e gjetjes së përfaqësimit të tyre tek “Djathtas 1912” dhe të gjtha partitë e tjera opozitare. Është i domosdoshëm fakti i bashkëpunimit dhe i një liste të vëtme të përbashkët në zgjedhjet 2025. Vetëm askund nuk shkohet, aq më tepër kundër një qeverie që sot ka të gjithë pushtetet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë