Bota

Kina rrethon Tajvanin, dërgon 25 avionë luftarakë dhe 11 anije. SHBA: Jemi të shqetësuar

Gazeta Si – Gazeta Si- Ushtria e Kinës ka dërguar 25 avionë luftrakë dhe 11 anije në ngushticën e Tajvanit në 24 orët e fundit për të rrethuar Tajvanin, duke thënë se donte të dërgonte një “paralajmërim serioz” për forcat “separatiste” në ishull.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit në një mesazh në platformën “X”, duke specifikuar se 16 avionë kanë hyrë në Zonën e Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore (Adiz).

“Adiz” është një zonë, ku një vend pretendon të drejtën për të identifikuar, lokalizuar dhe kontrolluar avionët e huaj që afrohen.

Nuk është pjesë e hapësirës ajrore të një territori siç përshkruhet nga ligji ndërkombëtar.

Që nga fillimi i muajit, Kina, e cila pretendon Tajvanin si pjesë të territorit të saj, ka dërguar 175 avionë luftarakë dhe 85 anije pranë ishullit.

Manovrat zhvillohen pas fjalimit të mbajtur më 10 tetorin e kaluar nga presidenti tajvanez, Lai Ching-te, i cili gjatë përvjetorit të themelimit të Republikës së Kinës (emri zyrtar i Tajvanit) deklaroi se ishulli “nuk është në varësi” të Kinës dhe se Pekini “nuk ka të drejtë të përfaqësojë Tajvanin”.

Presidenti thirri një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të diskutuar përgjigjet ndaj stërvitjeve kineze në zonë.

Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit, tha të dielën se aeroplanmbajtësja kineze, “Liaoning” ka hyrë në ujërat pranë kanalit strategjik Bashi në jug të Tajvanit, i cili ndan ishullin nga Filipinet dhe se pret që transportuesi të lundrojë në Oqeanin Paqësor perëndimor.

Shtetet e Bashkuara thanë se ishin “seriozisht të shqetësuara për këto stërvitje të përbashkëta ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare Popullore”.

Në një deklaratë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mattheë Miller, vuri në dukje se përgjigja e Pekinit “me provokime ushtarake ndaj fjalimit rutinë vjetor është e pajustifikuar dhe rrezikon të përshkallëzohet”.

Ftesa është “të veprohet me moderim dhe të shmangen veprimet e mëtejshme që mund të dëmtojnë paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit dhe në rajon”, thelbësore për paqen dhe prosperitetin rajonal.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë