Politike

‘Djathtas 1912’, Alibeaj prezanton partinë e re: 5 shtyllat ku bazohemi

Nga Gazeta 'Si'- Enkelejd Alibeaj, rreth një muaj pasi krijoi grupimin e ri parlamentar, ka prezantuar edhe partinë e re, e cila quhet “Djathtas 1912”.

Logoja e Partisë Djathtas 1912

Pjesë e kësaj partie të re duket të jenë disa nga figurat e larguara nga Partia Demokratike, si Enkelejd Alibeaj, Arbi Agalliu, Flutura Açka, Seladin Jakupllari, Edvin Kulluri, Agron Kapllanaj dhe Roland Bejko.

Në prezantimin për mediat, Alibeaj, teksa lexoi Kartën e Parimeve dhe Vlerave të partisë së re, u shpreh se ajo është e bazuar në 5 shtylla themelore.

“Ne besojmë në parimet e spektrit të djathtë, i cili ka në themelet e tij lirinë e individit si baza e të githë kohezionit shoqëror, ekonomik dhe politik. Për ne, përfaqësimi sa më i drejtpërdrejtë i sovranitetit popullor në çdo nivel të qeverisjes është jetësimi i lirisë. Ne e shohim zhvillimin e vendit të bazuar mbi pesë shtylla themelore të lirisë: individin, pronën, familjen, vetëqeverisjen dhe besimin.

Ne besojmë tek individi dhe të drejtat natyrore, politike e ekonomike e të patjetërsueshme, për jetën, lirinë, ndërgjegjen, fjalën e lirë dhe ushtrimin e lirë të fesë, të drejtën për të qenë i lumtur, për të pasur pronë, për të ndërtuar pasuri dhe për të mbroitur veten dhe familjet. Dinjiteti i njeriut është baza themelore e lirisë së tij.

Qëllimi i shtetit është të sigurojë këto të drejta dhe të synojë gjithmonë ruajtjen dhe rritjen e lirisë. Qeverisja nuk është qëllim por mjet. Ne besojmë te sovraniteti dhe shteti si njësi unitare, te Kushtetuta e vendit, qeverisja përfaqësuese e drejtë që garantohen nga kontrolli dhe balanca mes parlamentit, qeverisë dhe drejtësisë. Këto janë gurët e themelit dhe zbatimi me rigorozitet i Kushtetutës dhe ligjeve që rrjedhin prej saj janë baza për zhvillimin e vendit.

Ne besojmë se vota e lirë dhe paprekshmëria e saj, pluralizmi i pikëpamjeve dhe respektimi i mendimit të individit janë themelet për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë