Bota

Rusia gati të dërgojë në luftë kundër Ukrainës Steven Seagal? Aktori: Do të vdisja për Putinin!

Gazeta Si - Steven Seagal-Vladimir Putin, një dashuri e gjatë (dh e madhe). Aktori hollivudian 72-vjeçar amerikan, shtetas rus që nga viti 2016, sapo ka prezantuar dokumentarin e tij më të fundit (“Në emër të drejtësisë”) dhe është kthyer sërish në protagonist.

Nuk ka asgjë më për të bërë shaka për luftën Rusi-Ukrainë, por Seagal “godet” vërtet me deklaratat e tij. Aktori, i njohur për pasionin e tij për artet marciale, në fakt, tha se ishte gati të "vdiste për Putinin". Po Moska nga ana tjetër, a do të ishte e gatshme ta detyronte të shkojë të luftojë kundër Kievit?

Steven Seagal, ylli i filmave të njohur aksion në vitet '80 dhe '90, u bë shtetas rus në vitin 2016 dhe u transferua në Rusi disa kohë më parë.

Aktori ka shkëputur të gjitha marrëdhëniet me SHBA-në, ku ndër të tjera do të duhej të paguante gjoba të rënda për shkelje financiare dhe tatimore dhe ku rrezikon edhe ndjekjen penale për akuzat e dhunës seksuale.

Seagal vitet e fundit është kthyer në një “megafon” të vërtetë për Kremlinin. Me propagandën e tij pro-Moskës, ai fitoi rolin e "Përfaqësuesit Special" për arsye kulturore.

Gjithmonë i pranishëm në ceremonitë në Kremlin, ai ishte gjithashtu i ftuar në inaugurimin e Putinit si president majin e kaluar.

Në dokumentarin "Në emër të drejtësisë", aktori - i cili gjithmonë ka mbështetur me entuziazëm pushtimin rus të Ukrainës - vizitoi gjithashtu territoret e pushtuara nga forcat e armatosura ruse dhe madje arriti në qytetin e Mariupolit.

Seagal gjithashtu i shkroi një letër Putinit, siç tregohet në dokumentarin e tij: "Tani do të shohim kush janë bashkatdhetarët tanë dhe miqtë tanë dhe cilët janë armiqtë tanë. Unë do të jem gjithmonë në anën e presidentit tim dhe do të luftoj përkrah tij. Unë jam gati të vdes nëse është e nevojshme".

“Oferta” e tij u pranua menjëherë nga Partia “Veteranët e Rusisë”. Në një letër të publikuar gjithashtu nga agjencia e lajmeve ruse “Ria Novosti”, presidenti Ildar Reziapov tashmë e ka "rekrutuar" aktorin: "Ne dëshirojmë t'i ofrojmë të gjithë mbështetjen e nevojshme në rast se ai vendos të marrë pjesë në operacionin special". Kush e di nëse Seagal do t'i përgjigjet pozitivisht "ftesës" dashamirëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë