Politike

Legjislatura aktuale, 21 deputetët që humbën / dorëzuan mandatin (3 të tjerë janë në proces)

Deputetët, tempulli i demokracisë, partitë politike. Kryetarët e partive politike dhe drejtues të lartë politikë, përfshirë presidentë dhe kryeministra, e thonë vazhdimisht se krahas familjes së tyre ajo që i bën më shumë krenarë është partia e tyre politike. «Partia» votohet, krijon akses për pushtet, jep legjitimitet për të qeverisur dhe për të ndikuar në jetën publike, i bën politikanët dhe shefat e partive të paprekshëm. «Partia» sjell fitime të mëdha ekonomike, status shoqëror, lidhje të forta klienteliste, financim të madh personal, familjar dhe shoqëror. Ndaj edhe në Shqipërinë, – të parafundit në nivel ekonomik në zonën europiane, në listën e më të pasurve bëjnë pjesë edhe ata, shefat e partive politike.

Kjo është një tabelë statistikore e krijuar nga stafi monitorues i Institutit të Studimeve Politike (ISP), gjatë procesit të vlerësimit të integritetit të partive dhe parlamentit, si dhe ndikimeve informale në vendimmarrjen politike. Tabela rrëzon mitin e paprekshmërisë (për nivelet e dyta), por edhe tregon se në mandatin e tretë të PS në qeverisje dhe në legjislaturën e 10-të të tranzicionit, kemi 21 deputetë që kanë ndërprerë kontratën e besimit me qytetarët votues (2021) dhe 3 të tjerë që mund ta humbasin mandatin në muajt e ardhshëm. Në total, rreth 160 mijë vota ose rreth 10% e votave të dhëna më 2021 nuk përfaqëson më në parlament.

Disa dhanë dorëheqje menjëherë pas zgjedhjes (informacione paraprake për hetim nga SPAK, për qenie në listën e zezë amerikane apo arsye të tjera të komoditetit personal), disa dhanë dorëheqje gjatë mandatit duke iu rikthyer bizneseve më fitimprurëse, disa u detyruan të japin dorëheqje pas skandaleve personale apo familjare dhe disa u detyruan për shkak të hetimeve nga SPAK apo dënimeve nga sistemi i drejtësisë. Të fundit që u larguan dy javët e fundit janë një deputet i dënuar nga gjykata dhe një tjetër që pritet të ketë akuzë zyrtare nga SPAK.

Tabela tregon diferencën e madhe midis asaj që partitë ofrojnë në fushatë dhe asaj që politikanët ofrojnë gjatë ushtrimit të mandatit. I prezantojnë si prurje të reja, figura të pastra, reformatorë dhe individë me ndikim e mbështetje publike, por rezultojnë të kundërt dhe japin dorëheqje sapo fitojnë mandatin apo gjatë ushtrimit të tij. Disa nga ata që kanë rekorde pozitive, janë prurje të reja, zhgënjehen nga politika e konfliktit dhe baltosjes dhe largohen vetë duke iu kthyer profesionit të parë. Disa hyjnë në politikë për të fituar, rezultojnë se janë në opozitë dhe refuzojnë jetën politike në opozitë duke dhënë dorëheqje. Disa rezultojnë mandatin se duan të bëhen kryetarë bashkie apo duan të drejtojnë kadastrën apo ndihmën e huaj, ku fitimet janë më të mëdha dhe pushteti personal më i dukshëm.

Tabela e ISP-së ngre shqetësimin jo vetëm për mungesën e kontratës sociale midis të zgjedhurve dhe zgjedhësve, injorimin e premtimeve në fushatë apo pamundësinë e ushtrimit të llogaridhënies për të zgjedhurit deputetë, por edhe mbi integritetin e listës së kandidatëve. Përfshirja në krye të listave të individëve me rekorde kriminale apo korruptive, me lidhje të forta informale dhe me dosje hetimore në proces, bëhet me qëllim për të përfituar votat e tyre klienteliste në zonë, pra me dijeni dhe ndërgjegje, duke injoruar standardet ligjore, politike dhe etike për integritetin e partive, integritetin e votës dhe integritetin e fushatës. Edhe kandidatët e pastër, kur pranojnë në hyjnë në zgjedhje në emër të një partie politike, kanë pranuar të përdoren politikisht dhe kanë marrë përgjegjësi publike, ndaj edhe ata do të duhej të dëshmonin respekt për votuesin, dhe në rast zhgënjimi personal me politikën, të ngrinin zërin për zhvillimet jodemokratike që kanë zbuluar/evidentuar.

Shqipëria më 2025 do të ketë zgjedhje të reja. Minimumi i mundshëm është që listat e kandidatëve të mos kenë rekorde kriminale dhe që të zotohen të respektojnë mandatin e fituar. Betimi nuk është akt formal, është akt integriteti, solemniteti dhe përgjegjësie. Po ashtu ata duhet të respektojnë kontratën sociale, të respektojnë votuesin dhe të mbajnë premtimet e dhëna në fushatë. (ISP)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë