Politike

Orban pret Ramën: Më 15 tetor mbahet konferenca e dytë ndërqeveritare mes Shqipëri-BE

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri i Hungarisë, Victor Orban, njoftoi në një konferencë të përbashkët për mediat me homologun shqiptar, Edi Rama, se konferenca e dytë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian do të zhvillohet më 15 tetor.

“Ishte kënaqësi të mirëprisja Kryeministrin Edi Rama sot në Budapest”, shkroi Orban në një postim në “X”.

“Jemi të lumtur të shpallim se konferenca e dytë ndërqeveritare me Shqipërinë do të zhvillohet më 15 tetor, duke shënuar kështu edhe çeljen e kapitujve negociues. Ne nuk kemi vetëm fjalë për përshpejtimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor, flasim me vepra!”

 Orban u shpreh se Shqipëria duhet të ishte pjesë e BE.

“Shqipëria duhet të jetë pjesë e BE dhe duhet të ishte pjesë edhe tani, por po shikojmë pengesa politike dhe është e vështirë për t'i kaluar këto probleme. Por kemi pasur sukses pasi javën e ardhshme në Luksemburg do të kemi konferencën ndërmjet BE dhe Shqipërisë dhe do të hapet grupkapitulli i parë. Përgëzoj Ramën dhe Shqipërinë, jam i gëzuar që vjen në një moment kur Hungaria ka presidencën e BE.", deklaroi ai.

Hungaria mban Presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian për këtë vit dhe sipas saj përshpejtimi i rrugës së integrimit të shteteve të rajonit tonë është prioritet.

Rama dhe Orban do të nënshkruajnë edhe një marrëveshje në sektorin e Bujqësisë. Rama u rikthye në Budapest pas tre vitesh, pasi në 2021 u hodhën bazat e bashkëpunimit bilateral në ekonomi, shëndetësi dhe arsim

Shqipëria ka marrëdhënie të konsoliduara me Hungarinë. Në vitin 2021 kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë zyrtare në Budapest ndërsa dy vite më vonë Orban erdhi në Tiranë nga ku u nënshkruan disa marrëveshje.

Të hënën (14 tetor) Rama pritet të marrë pjesë në 10 vjetorin e samitit të Procesit të Berlinit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë