Politike

Sterilizimi / Vokshi: Kallëzim penal për deputetët e PS që penguan hetimin. Të zëvendësohet Ndreca

Nga Gazeta ‘Si’- Albana Vokshi, Kryetarja e Komisionit Hetimor për koncesionet në shëndetësi thotë se kanë përgatitur kallëzim penal për deputetët që sipas saj kanë penguar punën e komisionit.

Teksa kërkoi që mbledhja e sotme këtij komisioni të mos vazhdojë, Vokshi u shpreh se kanë kërkuar nga Sekretariati i Etikës që të përjashtojë deputetët që ajo i quajti dhunues.

“Të nisë procedura për marrjen e masave disiplinore për deputetët  dhunues verbal, Plarnet Ndreca, Ilir Metaj dhe Erion Braçe”, tha Vokshi.

“I kemi dërguar një shkresë kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, të fillojë procedurat parlamentare për zëvendësimin e zv.kryetarit dhe sekretarit të komisionit që kanë shkelur rregulloren dhe ligjin për komisionet hetimore. Të paralajmërojë 6 deputetët e tjerë për shkeljet që janë bërë në këtë komision. Të urdhërojë lejimin e anëtarëve të opozitës në Komisionin Hetimor. Komisionet hetimore funksionojnë me ligje të veçanta. 5 deputetët e përjashtuar me firmë të Bushkës të jenë këtu prezent.

Të nisë procedura për marrjen e masave disiplinore për deputetët dhunues verbal Plarent Ndreca, Ilir Metaj, Erion Braçe. Të nisin procedurat për marrjen e masave për sekretarin e përgjithshëm dhe të gjithë administratën që ka penguar hetimin parlamentar. Kemi bërë kërkesë te Sekretariati i Etikës për përjashtimin e deputetëve dhunues në këtë komision.

Kemi përgatitur edhe kallëzim penal për këdo që ka penguar hetimin parlamentar dhe funksionimin normal të këtij komisioni hetimor, që nga sekretari i përgjithshëm dhe drejtuesi i Gardës. Sepse nuk ndodh që pesë punonjës të gardës të ushtrojë këtu presion ndaj deputetëve të opozitës dhe të gjithë ata që i ndihmojnë nga ana e administratës. Kërkesa jonë është të presim përgjigjen e kryetares së kuvendit, të kthehen në këtë komision të gjithë deputetët e opozitës, kërkues të ngritjes së komisionit, dhe të vijojë në ligjshmëri ky komision i rrëmbyer nga ana e deputetëve të mazhorancës. Do doja që një herë të vetme të kishit mirëkuptim për kërkesat tona", tha Vokshi.

Ndërsa për deputetët e PS-së në atë komision ajo thekson se nuk mund të bëhet hetimi nga ata deputetë që janë subjekte të SPAK.

"Hetimi nuk bëhet dot nga subjekte të SPAK, për të mbrojtur abuzimet e qeverisë dhe Edi Rama. Kërkoj që kjo mbledhje sot të mbyllet. Të vijojmë javën që vjen me një riplanifikim të agjendës së marrjes së dëshmitarëve. Kërkoj që kjo mbledhje të mbyllet sot dhe të mos vijojë".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë