Bota

Kremlini pohon se Donald Trump i dërgoi Rusisvë teste të Covid-19 edhe pse SHBA ishte në mungesë

Kremlini ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara kishin dërguar në Rusi në kohën kur Donald Trump ishte president teste diagnostikuese për Covid -19, por argumentoi se ishte një shkëmbim pajisjesh për të luftuar pandeminë.

Aludimet nisën pasi legjenda e gazetarisë amerikane, Bob Woodward, në librin e tij të ardhshëm, pretendon se Trump i dërgoi fshehurazi komplete testimi për Covid-19 homologut të tij rus Vladimir Putin. Por, sipas presidencës ruse, bëhej fjalë thjesht për bashkëpunim ndërkombëtar në mes të një pandemie.

“Ishte fillimi i pandemisë, testet e para nuk funksionuan mirë dhe në fillim kishte mungesë të pajisjeve. Në atë kohë të gjitha vendet po përpiqeshin të bënin shkëmbime”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov në një konferencë me gazetarët.

“Ne dërguam një grumbull ventilatorësh në Shtetet e Bashkuara dhe amerikanët nga ana e tyre na dërguan këto teste,” shtoi ai, duke iu përgjigjur asaj që thuhet në librin e Bob Woodward .

Peskov gjithashtu mohoi edhe një herë një tjetër pretendim të gazetarit, i cili thotë se Donald Trump ka folur fshehtas me Putinin deri në shtatë herë pasi ai u largua nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021.

“Për sa i përket telefonatave, kjo nuk është e vërtetë”, këmbënguli përfaqësuesi i presidencës ruse.

Një kronist i prapaskenave të Shtëpisë së Bardhë për gjysmë shekulli për Washington Post, Bob Woodward, së bashku me Carl Bernstein, zbuluan skandalin Watergate që çoi në dorëheqjen e Presidentit Richard Nixon në 1974.

Në librin e tij të ri, Lufta, që do të publikohet më 15 tetor, ai shkruan se Donald Trump mbajti një marrëdhënie personale me Vladimir Putinin pavarësisht pushtimit rus të Ukrainës dhe ndërkohë që ai aspironte të kthehej në Shtëpinë e Bardhë.

Sa i përket testeve të dorëzuara në Rusi, sipas mediave amerikane që kanë akses në libër, Vladimir Putin i ka marrë ato dhe i ka kërkuar Donald Trumpit të mos thotë asgjë./TheGuardian


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë