Politike

Rama dhe Erdogan firmosin tre marrëveshjet mes Shqipërisë dhe Turqisë (foto)

Nga Gazeta 'Si'-Pas takimit ‘kokë më kokë’ në Kryeministri, kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan nënshkruan tre marrëveshje mes dy shteteve në prag të nisjes së konferencës për mediat.

Një prej marrëveshjeve ishte “deklarata e synimit mbi bashkëpunimin në fushën e sigurimeve në bujqësi të mbështetur nga shteti midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë të Republikës së Turqisë”.

Marrëveshja e radhës ishte “Protokoll ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Lartë të Arsimit të Republikës së Turqisë për Hapjen e Degës, Njësisë Akademike, Programeve të Studimit nga Universiteti Teknik i Stambollit në Shqipëri”.

Marrëveshja e tretë ishte ajo për “Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Agjencisë për Media dhe Informim të Republikës së Shqipërisë dhe Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës së Republikës së Turqisë për bashkëpunim në fushën e marrëdhënieve me publikun dhe komunikimin”.

Më herët Erdogan u prit nga Begaj me ceremoni zyrtare.

Ndërkohë në orën 16:50, Erdogan pritet që të inaugurojë Xhaminë e Namazgjasë në kryeqytet.

Agjenda parashikon që kreu i shtetit turk të largohet nga Shqipëria pasdite, ku më pas do t’i drejtohet Beogradit dhe do të zhvillojë disa takime.

"Mirë se erdhe në Tiranë", shkroi më herët ministri i jashtëm Igli Hasani në rrjetin social X krahas një fotoje duke pritur presidentin turk sëbashku me zv.kryeministren Belinda Balluku në Rinas.

Për mbarëvatjen e vizitës shtetërore të presidentit turk janë marrë masa sigurie. Në total mbi 700 forca policie do të jenë të angazhuara për mbarëvajtjen e rendit dhe të sigurisë gjatë vizitës së Presidentit turk Erdogan.

Ndërkohë në çatitë e godinave pranë Xhamisë së Namazgjasë janë vendosur snajperistë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë