Bota

Biden dhe Netanyahu pritet të diskutojnë sot për përgjigjen ndaj Iranit

Nga Gazeta 'Si'-Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, pritet që më 9 tetor të zhvillojë një bisedë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, raportuan mediat, ndërsa forcat izraelite intensifikuan ofensivën e tyre tokësore kundër militantëve të Hezbollahut, të mbështetur nga Irani, në jug të Libanit.

Raportet nga Reuters dhe Axios, të cilat citojnë burime që folën nën kushte anonimiteti, thanë se bisedimet do të përfshijnë edhe planet e mundshme për ta goditur Iranin si përgjigje ndaj sulmit me raketa, kryesisht joefektiv, të Teheranit ndaj Izraelit javën e kaluar, në shenjë hakmarrjeje për eliminimin e udhëheqësit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, nga Izraeli.

Këto bisedime do të jenë hera e parë që Biden dhe Netanyahu komunikojnë drejtpërdrejt që nga gushti.

Hezbollah, një grup dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe të jugut të Libanit, është cilësuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka futur në listën e zezë vetëm krahun e tij të armatosur, por jo partinë, e cila ka vende në parlamentin libanez.

Më 9 tetor, Hezbollah deklaroi se luftëtarët e tij kishin përdorur artileri dhe raketa kundër trupave izraelite pranë fshatit kufitar libanez Labbouneh.

Në një deklaratë tjetër, grupi tha se kishte përfshirë në luftim forcat izraelite, ndërsa ato “u përpoqën të depërtonin në qytetin kufitar të Blidës”, në juglindje të Libanit.

Ushtria izraelite tha herët më 9 tetor se kishte interceptuar dy predha të lëshuara nga Libani, ndërsa alarmet për sulme ajrore u aktivizuan në dhe rreth qytetit bregdetar Caesarea, në jug të Haifës.

Luftimet e fundit ndodhin ndërsa rriten frikërat për një konflikt më të madh në rajon, pasi Izraeli gjithashtu pretendoi se pasardhësi i Nasrallah ka të ngjarë të jetë “eliminuar”.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, më 8 tetor tha se Hezbollah ishte një “organizatë pa një kryetar”.

“Nasrallah u eliminua. Pasuesi i tij ndoshta është eliminuar gjithashtu”, tha Gallant para oficerëve në qendrën e komandës veriore të ushtrisë, pa dhënë më shumë detaje.

“Hezbollahu nuk ka askënd që të marrë vendime, askënd që të veprojë”, shtoi ai.

Netanyahu më pas përsëriti ato komente, duke thënë: “Ne kemi ulur aftësitë e Hezbollahut”.

“Ne kemi eliminuar mijëra terroristë, përfshirë vetë Nasrallahun dhe pasardhësin e Nasrallahut, dhe pasardhësin e pasardhësit”, tha Netanyahu.

Hashem Safieddine, një zyrtar i lartë i Hezbollahut dhe kushëriri i Nasrallahut, pritej gjerësisht të emërohej në postin kryesor të grupit, por vendndodhja dhe gjendja e tij mbeten të panjohura që nga një sulm izraelit më 2 tetor ndaj një takimi të dyshuar të udhëheqjes së Hezbollahut.

Hezbollahu nuk ka komentuar për fatin e Safieddine, megjithëse anëtarë të paidentifikuar kanë thënë për media të ndryshme se grupi ka humbur kontaktet me të që nga sulmi.

Safieddine është shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë