Politike

Përmbytjet dhe zjarret / Rama kritika për kryebashkiakët: Duhet strukturim dhe koordinim! Trajnoni njerëzit

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i qeverisë Edi Rama në një takim në Kryeministri me kryebashkiakët e vendit u shpreh i pakënaqur me reagimin e disa prej drejtuesve në lidhje me situatën e përmbytjeve apo zjarreve.

Rama deklaroi se qarqe të caktuara nuk shfrytëzojnë kapacitetet e tyre të ndërhyrjeve në raste të emergjenca, por kërkojnë ndërhyrje nga Forcat e Armatosura.

“Duhet bërë stërvitje për këtë punë. Duhet trajnim dhe organizim, kooordinim. Nuk mund të mbajmë Shqipërinë pa zjarre, se është e pamundur por duhet të luftojmë për cdo metër katror që mund të shpëtohet, por cfarë është e shpëtueshme e nuk shpëton për shkak të dobësive të punës dhe koordnimit është praktikisht dështim që ne nuk kemi si ta justifikojmë' tha Rama. 

Rama u ndal në dy shembuj konkret, tek Perfektura e Korçës për të cilën thotë se nga 1491 forca aktive që ka të deklaruara, në raste zjarri ka aktivizuar vetëm 342 forca dhe më pas ka kërkuar ndihmën e Forcave të Armatosura dhe sërish rezultati sipas tij nuk ka qenë në një nivel me Shkodrën, të cilën e vlerësoi.

Ai tha se i ka kërkuar ministrit të Brendshëm të ndërtohet një plan pune për të konverguar të gjithë energjitë e nevojshme mes emergjencave kombëtare dhe emergjencave lokale

“Te zjarret ka pasur shfaqje dobësish që janë për t’u parë me sy kritik. E para të gjitha prefekturat bëjnë një deklarim forcash në dispozicion, ajo që ndodh po marr dy prefektura, psh marr Korçën dhe Shkodrën. Korça ka deklaruar 1491 forca dhe ka aktivizuar 342 forca dhe ka kërkuar mbështetje nga FA pa arritur të aktivizojë gati 70% të forcave që ka deklaruar aktive. Perfektura e Shkodrës që ka pasur disa emergjenca të rrezikshme, është prefektura me angazhimin më të lartë të kapaciteteve vendore dhe ka përdorur më shumë kapacitet se ato të deklaruara dhe mbështetjen nga FA e ka kërkuar vetëm në pak raste specifike. Ajo që është shumë domethënëse është që rezultati në prefekturën e Korçës ku FA janë kërkuar në mënyrë të vazhdueshme, rezultatet kanë qenë më të dobëta se në Shkodër.

I kam kërkuar ministrit të ndërtohet një plan pune për të konverguar të gjithë energjitë e nevojshme mes emergjencave kombëtare dhe emergjencave lokale dhe për të filluar me një kalendar te trajnimeve dhe për të ndërtuar një sistem komunikimi efikas që të gjithë të dinë kush bën çfarë dhe jo alarm ngri telefonin thirr njërin", tha Rama. 

Ai u ndal edhe tek përmbytja në Vlorë, duke kërkuar nga të gjitha bashkitë se strukturat duhet të jenë gati për të dalë në terren në momentin e parë të reagimit.

"Është fakt që të gjithë vendet duhet të përballen në periudhën e verës me zjarre, në vjeshtë dimër me përmbytje. Natyra e këtyre fenomeneve ka ndryshuar dhe ndryshon çdo vit. E kemi parë se çfarë ndodhi në Austri dhe pamë se çfarë ndodhi në ditët kur këtu u përmbyt Vlora, në Bosnje ku humbën jetën shumë njerëz dhe ku dëmet dhe sipërfaqja e plagës së hapur atje janë marramendëse. Ka një shpjegim të thjeshtë përtej analizave popullore dhe tendencioze që i bëhen përmbytjeve, që ka ndryshuar formacioni i reshjeve. Para ca kohësh u bë spektakolare përmbytja në Dubai, ku në harkun e 18 orëve ra një sasi shiu e barabartë me 4 juaj rresht shi në Londër. Nuk ka infrastrukturë sado ekselente të përballojë goditjen e parë. Ajo që ne s’mund ta neglizhojmë është dobësia që shfaqet në reagimin tonë në nivelin vendor qoftë për zjarret qoftë për përmbytjet.

Duke u marrë me përmbytjet, e domosdoshme është të ketë një fokus të veçantë te organizmi i strukturës, trajnimi, aftësimi dhe stërvitja e të gjithë strukturës që duhet të jetë gati për të dalë në terren në momentin e parë të reagimit. Kur është faza e goditjes s’ka ça bën askush, por e gjithë struktura duhet të vihet në funksion", tha Rama. 

Rama gjithashtu nuk i ka kursyer kritikat për disa kryetar bashkie, që siç tha ai edhe pse kanë fondet në dispozicion nga qeveria nuk kanë sjellë asnjë projekt.

Është në kufijtë e skandalozes- tha Rama- duke theksuar se ‘është e paimagjinueshme të mos absorbohen kur nevojat në të gjitha bashkitë janë shumë më të mëdha se ato që ne mund të mbulojmë’.

Ne kemi bërë një ndryshim rrënjësor në qasjen ndaj shërbimeve sociale në bashki. Kemi vendosur në depoziton fonde nga qeverie. Ka bashki këtu që nuk kanë marrë një kokërr leku dhe nuk kanë ngritur akoma shërbimet që mund të kishin ngritur me paratë që janë në dispozicion, se nuk kanë bërë një projekt dhe nuk kanë carë kokën. Kjo është në kufijtë e skandalozes.

33 mijë persona sot shërbehen falë këtij shërbimi dhe shuma që përmendi ministri i Mbrojtjes, 1 miliard e kusur lekë të reja, shuma që përmendi ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies për projektet sociale, janë para që janë në dispozicion si rezultat i rritjes së mundësive tona për të mbështetur procesin e ndryshimit. Por është e paimagjinueshme të mos absorbohen kur nevojat në të gjitha bashkitë janë shumë më të mëdha se ato që ne mund të mbulojmë. Kjo është e paimagjinueshme. Por me ca merreni ju se nuk e kuptoj? Nuk arrij dot ta kuptoj”, tha kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë