Politike

Protesta e opozitës / PD kërkon leje për 4 orë tubim, mban sekret itinerarin. ‘Blindohen’ dyert e kryeministrisë, mbi 1500 efektivë në terren

Nga Gazeta ‘Si’- Partia Demokratike i ka dërguar një shkresë policisë ku për zhvillimin e protestës së ditës së sotme, ka kërkuar 4 orë leje për tubim, nga ora 18:00 deri në orën 22:00.

Në shkresë kërkohet vetëm leje për zhvillimin e protestës para kryeministrisë, por jo itenerari që do të ndjekin.

Partia Demokratike e konsideron protestën e sotme kombëtare si një nisje të një vale tjetër protestash deri në arritjen e tre qëllimeve të tyre; zgjedhje të lira, qeveri teknike dhe lirimi i Sali Berishës.

Ashtu siç ka deklaruar edhe më herët lideri demokrat Sali Berisha, por edhe eksponentë të tjerë të PD-së, në këtë protestë nuk do të ketë fjalime dhe kryefjala do të jetë mosbindja civile.

Do të jenë të paktën katër pika kyçe në kryeqytet që do të bllokohen nga mbështetësit e opozitës gjatë protestës kombëtare

Janë angazhuar mbi 1500 forca policie, që do të dislokohen fillimisht të Kryeministria, më pas te Parlamenti, por policë do të ketë edhe te bashkia e Tiranës duke marrë parasysh faktin që në protestën e fundit u marshua nga Kryeministria në drejtim të bashkisë së kryeqytetit. Po ashtu edhe

Garda e Republikës do të jetë e gjitha në gatishmëri për të kryer detyrën në ruajtjen e institucioneve. Ndërkohë në protestë të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundragaz.

Ashtu si çdo protestë të opozitës edhe këtë herë janë marrë masa për të siguruar hyrjen e kryeministrisë.

Dyert e kryeministrisë janë të “blinduara” me veshje metalike ndërsa instalacioni i kërpudhës që ndodhet në lulishten e këtij institucioni është hequr.

Në kuadër të garatimit të sigurisë Policia zgjeroi hartën e rrugëve që do të bllokohen pasditen e sotme në orën 18:00.

Do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi "Nënë Tereza" dhe në rrugët:"Ukraina e Lirë", "Papa Gjon Pali II" dhe "Ismail Qemali".

Në varësi të zhvillimit të tubimit mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve dhe në këto akse rrugore:

Kafe “Europa” - Segmenti "Ushtari i panjohur" deri te 9-katëshet;
Shkolla "1 Maji" - kryqëzimi i urës së ATSH-së deri te rruga e Elbasanit;
Kryqëzimi i Liceut Artistik deri te Fakulteti i Gjuhëve të Huaja;
Sheshi “Skenderbej”, bashkia Tiranë dhe Pallati i Kulturës;
Kryqëzimi i Librit Universitar;
Kryqëzimi i 21-Dhjetorit deri te shkolla "Sabaudin Gabrani";
Kryqëzimet në zonën ish-Bllokut, rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Ismail Qemali”;
Rrethrrotullimi "Zogu i Zi";
Kryqëzimi te ish-stacioni i trenit;
Kryqëzimi i urës së Taiwanit;
Kryqëzimi i rrugës së Kavajës me hyrjen e sheshit “Skënderbej”;
Kryqëzimi i urës së ish-hotel “Dajti”;
Kryqëzimi i 9-katësheve me Rrugën e Barrikadave;
Rruga "Dritan Hoxha", përpara vendit të quajtur “Kupola”;
Kryqëzimi i pallatit me shigjeta.

Ndërkohë, qytetarëve u bëhet thirrje që të shmangin lëvizjen me automjete në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë