Bota

Një vit nga sulmi i 7 tetorit në Izrael, Lindja e Mesme në prag të një lufte totale

Gazeta Si - Izraelitët shënojnë të hënën përvjetorin e parë të sulmit shkatërrues të Hamasit, që shkaktoi një luftë e cila ka ndezur protesta dhe rrezikon të ndezë një konflikt shumë më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Ceremonitë dhe protestat në Jerusalem dhe në jug të Izraelit ishin planifikuar të fillonin rreth orës 06:29 të mëngjesit, ora kur militantët e Hamasit lëshuan raketa në Izrael në fillim të sulmit të 7 tetorit të vitit të kaluar.

Sulmi më 7 tetor 2023 erdhi nga një konflikt i pazgjidhur prej më shumë se një shekulli.

Anëtarët e saj kaluan kufirin e ruajtur mirë me Izraelin dhe shkaktuan shpërthimin më të keq të dhunës që nga Lufta e Yom Kipur.

Rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë izraelitë, u vranë ndërsa 250 të tjerë u morën peng. Që atëherë, kundërpërgjigjia e Izraelit u ka shkaktuar shkatërrime të pallogaritshme palestinezëve në Gaza.

Rreth 43,000 njerëz, kryesisht civilë, janë vrarë, sipas ministrisë së shëndetësisë të Hamasit.

Pjesa më e madhe e Gazës është kthyer në gërmadha ndërkohë që palestinezët akuzojnë Izraelin për gjenocid.

Sulmi i Hamasit ndaj komuniteteve izraelite rreth Gazës dhe fushata e pamëshirshme e Izraelit si kundërpërgjigje kanë destabilizuar rajonin e Lindjes së Mesme, pasi luftimet janë përhapur edhe në Liban.

Vrasja e liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah dhe pushtimi tokësor izraelit në Liban ka rritur frikën për një lufte gjithëpërfshirëse midis Izraelit dhe Iranit.

Pas vrasjes së Nasrallah, Irani u hakmor duke gjuajtur rreth 200 raketa ndaj Izraelit, megjithëse shumë nga to u pritën me ndihmën e SHBA-së.

Pyetja kryesore tani është nëse konflikti do të përshkallëzohet dhe nëse forcat amerikane do të përfshihen më drejtpërdrejt.

Uashingtoni ka mbrojtur të drejtën e Izraelit për të goditur Iranin, por paralajmëron kundër sulmeve të drejtpërdrejta në objektet e tij bërthamore, nga frika se një veprim i tillë mund të shkaktojë një reaksion zinxhir të pakontrollueshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë