Politike

Balla ‘këshillon’ opozitën me fjalët e Einstein. Braçe: Në parlament shahen, te klubi puthen

Nga Gazeta ‘Si’ – Përmes një prononcim të shkurtër para mediave, Erion Braçe e ka cilësuar si false të gjithë “shfaqjen” e opozitës dhe aksionin e saj përpara kuvendit, ku u tentua bllokimi i deputetëve dhe më pas u dogjën 4 manekinë.

Braçe tha se “janë të njëjtët deputetë që shahen në sallë nga mëngjesi në darkë, por te klubi puthen”.

I pyetur nëse aksioni opozitar ngjante me aksionin e dikurshëm kur PS ishte në opozitë, Braçe u shpreh se asnjëherë nuk kanë shkuar në Kuvend me shishe me benzinë.

“Kanë tjetër shef ata, unë nuk bëhem dot shefi i tyre. Keni parë të vij ndonjëherë me benzinë në Parlament? Ndonjë tjetër keni parë me benzinë?

Aty shahet nga mëngjesi në darkë, hyni dhe të dëgjoni, poshtë lart etj. Te klubi, jo, te klubi puthen të gjithë”, tha Braçe.

Ndërsa Taulant Balla deklaroi se kjo është një situatë që përsëritet prej vitesh nga opozita në vend.

Balla dha edhe disa këshilla për kolegët e tij në opozitë.

“Kemi një situatë që qytetarët e kanë parë shpesh. Kush mendon se të përsërisësh të njëjtën marrëzi dhe të presësh rezultat të ndryshëm, e ka gabim, thoshte Einstein. Në këtë këndvështrim, apeli im si koleg, është që dhuna nuk ka vend në një demokraci dhe nëse unë do të isha deputet i opozitës do ta përdorja nderin e madh që më ka bërë populli të jem përfaqësuesi i tyre në kuvend”, u shpreh Taulant Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë