Bota

Nëndetësja e re me energji bërthamore e Kinës fundoset gjatë ndërtimit

Gazeta Si - Zyrtarë të lartë të Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-ve, duke folur në kushte anonimiteti, i thanë agjencisë së lajmeve "Reuters" të enjten se mostra e parë e prodhuar e një modeli të ri të nëndetëses sulmuese me energji bërthamore të zhvilluar nga Kina, u fundos mes majit dhe qershorit.

Kanali televiziv amerikan CNN analizoi imazhet satelitore të skelës ku ishte ankoruar nëndetësja, në qytetin Wuchang, afër Wuhan-it, në Kinën qendrore.

Dyshohet se nëndetësja u mbyt midis majit dhe qershorit, duke pasur parasysh se ajo duket në imazhet e marsit, por jo më në ato të qershorit.

Një zëdhënës i ambasadës kineze në Uashington i tha “Reuters”-it se nuk mund të komentonte mbi këtë çështje, sepse nuk ishte i informuar për faktet. Zyrtari amerikan që foli për “Reuters”, akuzoi qeverinë kineze për fshehjen e fundosjes së nëndetëses.

Nëndetësja e fundosur është një nga mjetet e pakta bërthamore në pronësi të Kinës dhe është projektuar për të pasur manovrim më të mirë nën ujë se modelet e mëparshme.

Në kohën e fundosjes, pajisjet e brendshme me siguri po vendoseshin: nuk është e qartë nëse karburanti bërthamor ishte ngarkuar në bord.

Kina tashmë kontrollon marinën më të madhe në botë dhe vitet e fundit ka investuar shumë në një gjeneratë të re të nëndetëseve të armatosura bërthamore.

Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga ushtria kineze, që nga viti 2023, Kina zotëron gjashtë nëndetëse raketash balistike me energji bërthamore, gjashtë nëndetëse sulmi me energji bërthamore dhe 48 nëndetëse sulmi me naftë. Shtetet e Bashkuara kanë gjithsej 71, të gjitha me energji bërthamore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë