Bota

Ukraina shkatërron depon ruse të mbushur me raketa e municione. Zelensky: Plani i fitores është gati

Nga Gazeta 'Si'- Sulmet ukrainase me dronë dhe raketa në territorin rus nuk janë ndaluar as gjatë mbrëmjes së kaluar dhe orëve të para të së enjtes, madje për Kievin kjo mund të ketë qenë një nga netët më të suksesshme në përballjen e tyre me armikun.

Një burim nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës ka thënë për CNN se Kievi ka arritur të shkatërrojë një depo të madhe municionesh në rajonin perëndimor rus të Tverit.

Dronët arritën të shënjestrojnë depon në qytetin Toropets, e cila ruante sistemet e raketave taktike Iskander, sistemet e raketave taktike Tochka-U dhe municione artilerie.

Guvernatori i rajonit rus Igor Rudenya ka urdhëruar një evakuuim të pjesshëm të banorëve në atë zonë pas shpërthimit të fuqishëm në depo.

Shpërthimi ka qenë aq i fortë sa ka shkaktuar lëkundje të tokës deri në 2,8 rihter. Ben Dando, një sizmolog në fondacionin norvegjez të kërkimit NORSAR, i tha CNN se sensorët e tij "zbuluan sinjale sizmike, të magnitudës 2.5 deri në 2.8, në veriperëndim të Rusisë, të cilat duket se lidhen me sulmin me dron të nisur nga Ukraina".

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy vlerësoi ushtrinë ukrainase për sulmin në depon ushtarake ruse në Toropets.

Zelenskyy thotë se Plani i Fitores së Ukrainës është plotësisht i përfunduar dhe se gjëja më e rëndësishme tani është vendosmëria për ta zbatuar atë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë