Bota

Blinken sërish në Egjipt, bisedime për arritjen e një armëpushimi në Rripin e Gazës

Nga Gazeta 'Si'- Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do të udhëtojë në Egjipt të martën mes përpjekjeve të vazhdueshme për të angazhuar partnerët kryesorë rajonalë në Lindjen e Mesme për të paraqitur një propozim të rishikuar për një armëpushim në Rripin e Gazës.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, u tha gazetarëve të hënën se “Ne vazhdojmë të angazhohemi me partnerët tanë në rajon, veçanërisht me Egjiptin dhe Katarin, për atë që do të përmbajë ai propozim, në mënyrë që palët të arrijnë një marrëveshje përfundimtare.”

Shtetet e Bashkuara nuk kanë dhënë një afat kohor për propozimin e rishikuar, megjithëse zyrtarët janë shprehur se ai do të paraqitet së shpejti. Propozimi synon të zgjidhë çështjet kryesore që kanë shkaktuar ngërçin disamujor në bisedimet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti, me synimin për të siguruar një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit dhe lirimin e pengjeve të rrëmbyera nga Hamasi në fillim të luftës më 7 tetor 2023.

Në Kajro, Blinken do të bashkëkryesojë seancën hapëse të Dialogut Strategjik SHBA-Egjipt me Ministrin e Jashtëm egjiptian Badr Abdelatty. Sekretari Blinken do të takohet gjithashtu me udhëheqësit egjiptianë për të diskutuar përpjekjet për arritjen e një armëpushimi në Gazë, lirimin e të gjitha pengjeve, lehtësimin e vuajtjeve të civilëve palestinezë dhe sigurinë rajonale, tha zëdhënësi Miller.

Megjithatë, udhëtimi i dhjetë i Sekretarit të Shtetit Antony Blinken në Lindjen e Mesme që nga 7 tetori 2023, nuk përfshin një ndalesë në Izrael për bisedime me udhëheqësit e tij.

Më herët të hënën, Blinken u takua me udhëheqësin e opozitës izraelit dhe ish-kryeministrin Yair Lapid.

Pas takimit në Departamentin e Shtetit, Lapid u tha gazetarëve se Izraeli ka nevojë për një marrëveshje për lirimin e pengjeve dhe përfundimin e luftës në Rripin e Gazës, duke theksuar se asnjë proces politik apo pengesë nuk duhet të ndikojë në arritjen e një marrëveshjeje. Lapid i kërkoi Shteteve të Bashkuara të mos e lejojnë Hamasin “të shmang arritjen e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë