Nga Harold James* – Ka diçka të kalbur në gjendjen aktuale të Evropës. Në qendër të fjalimit të presidentit francez Emmanuel Macron në Sorbonë në prill pati një paralajmërim se Evropa është e vdekshme – “ajo mund të vdesë”. Shumë ndiejnë një nevojë urgjente për një mënyrë të re të të menduarit, udhëheqje të re dhe ide të reja, megjithatë është e vështirë të thuhet se ku mund të gjenden këto. Gjenerimi i ideve të reja dhe krijimi i parimeve të reja kërkon debat të hapur. Por Evropa mbetet e fiksuar pas një politike të konsensusit, dhe kjo e mban të mbërthyer me një ortodoksi mbytëse të propaganduar nga qarqet zyrtare dhe opinioni elitar në Berlin dhe Paris.
Marrëdhënia midis Francës dhe Gjermanisë ka qenë boshti qendror i historisë evropiane për 200 vjet. Pas çezurës së Luftës së Dytë Botërore – e cila i la elitat e vjetra në të dy vendet krejtësisht të poshtëruara – dyshja franko-gjermane vazhdoi të bëhej themeli për projektin evropian. Por tani të dyja janë të paralizuara dhe demokracia – e cila ishte thelbësore për ribërjen e Evropës së pasluftës – po ngec. Votuesit francezë sapo kanë zgjedhur një parlament të varur nga e djathta ekstreme, të majtën radikale dhe një qendër të izoluar, të parëndësishme, ndërsa qeveria e koalicionit jopopullor të Gjermanisë mbetet e mbyllur në mosmarrëveshje fiskale të pafundme. Edhe më keq, zgjedhjet rajonale atje muajin e ardhshëm ka të ngjarë të prodhojnë një rezultat të stilit francez.
Evropianët duket se nuk u kushtojnë më shumë vëmendje motorëve të vjetër të integrimit evropian. Këtu nuk ndihmon as fakti që udhëheqësit e tyre aktualë ngjajnë me karikaturat e traditave të tyre përkatëse. Macron (i cili dikur e krahasonte veten me Jupiterin) është Napoleonik në dashurinë e tij për lëvizjet e tij prej kumarxhiu politik. Kujtoni diplomacinë e tij pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, i cili shpejt u shndërrua në një përpjekje të kotë për të qetësuar Vladimir Putinin. Më pas erdhi sugjerimi i tij se trupat e NATO-s mund të kenë nevojë të dislokohen në Ukrainë, e ndjekur nga vendimi i tij po aq i keqgjykuar për të thirrur zgjedhje të parakohshme parlamentare këtë verë.
Ndërkohë, kancelari gjerman Olaf Scholz dukets e ka përvetësuar mësimet e Immanuel Kantit, duke këmbëngulur në mundësinë e një paqeje të përhershme. Slogani për fushatën e tij të keqvlerësuar zgjedhore evropiane ishte “Të Sigurojmë Paqen”. Kur mbajti një fjalim për të përkujtuar 300-vjetorin e lindjes së Kantit, audienca e tij priste me padurim që ai të përmendte raketat Taurus, të cilat Ukraina i kërkonte me aq ngulm. Por në të fakt, ai nuk e bëri.
Kështu, dy obsesionet gjermane – paqja dhe buxhetet e balancuara – kanë prodhuar një përzierje të rrezikshme që kërcënon të ndërpresë mbështetjen gjermane për Ukrainën në një moment kritik, duke rrezikuar paqen dhe stabilitetin fiskal në të gjithë Evropën.
Nuk është për t’u çuditur që të gjithë duan një ndryshim në udhëheqje. Në të kaluarën, Evropa kishte katër shtylla: Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, secila prej të cilave dikur kishte ekonomi dhe popullsi me madhësi të ngjashme. Megjithatë, pas bashkimit të Gjermanisë në vitin 1990, përmasat ndryshuan, ndërsa Italia është diskredituar nga paqëndrueshmëria e vazhdueshme politike dhe Britania nga “lufta civile” e Partisë Konservatore që çoi në Brexit.
Megjithatë, çuditërisht, Britania dhe Italia tani duken më mirë se ekipi i vjetër Berlin-Paris. Italia ka një qeveri të matur, fiskalisht të përgjegjshme, gjeopolitikisht të zgjuar, pro-evropiane nën drejtimin e kryeministres Giorgia Meloni. Edhe pse ajo doli nga radhët e Lëvizjes neofashiste Sociale Italiane, ajo ka braktisur pjesën më të madhe të ideologjisë së saj. Në mënyrë të ngjashme, Britania tani ka një qeveri laburiste të matur, fiskalisht dhe gjeopolitikisht të përgjegjshme, nën drejtimin e kryeministrit Keir Starmer, i cili nxori nga skena Jeremy Corbyn dhe impulsin anti-evropian dhe antisemitik që ai përfaqëson. Të dyja vendet po përfitojnë nga fakti që qeveritë e mëparshme bënë gabime të tmerrshme.
Ky është gjithashtu një moment i mirë për vendet më të vogla. Danimarka, Suedia, Polonia dhe – jashtë Bashkimit Evropian – Norvegjia dhe Zvicra, po tregohen të jenë ekonomikisht dinamike dhe inovative politikisht dhe strategjikisht. Polonia, më e madhja dhe me rritjen më të shpejtë prej tyre, ofron një shabllon unik për një Evropë të ardhshme. Për shkak të pozicionit të saj gjeografik, ajo ka bërë përpjekjet më të mëdha për të rritur shpenzimet e mbrojtjes; dhe ndryshe nga fuqitë më të mëdha evropiane, ajo nuk ka një industri të rrënjosur vendase të mbrojtjes, lobistët e së cilës të bllokojnë me këmbëngulje përpjekjet për të evropianizuar kapacitetin ushtarak të kontinentit.
Ukraina, Zvicra dhe Norvegjia mund t’u mësojnë fqinjëve të tyre evropianë shumë rreth asaj se si të përshtaten me botën e sotme në ndryshim. Ndërsa Macron ka eksperimentuar me krijimin e një Unioni më të gjerë Politik Evropian dhe liderët nga 43 vende që u mblodhën këtë verë për një samit në Pallatin Blenheim (vendlindja e Winston Churchillit).
Duke parë më tutje, mund të imagjinohet që çështjet evropiane të riorientohen rreth një triumvirati të ri që përfshin Britaninë, Italinë dhe Poloninë. Ashtu si Franca dhe Gjermania, edhe këto vende ndajnë shumë histori bashkë. Gjithashtu ato ndajnë edhe një vlerësim të realiteteve aktuale globale, si dhe një kulturë debati. Himni kombëtar polak është kënga marshuese e një gjenerali polak në Ushtrinë Napoleonike. Londra ishte selia e qeverisë polake në mërgim pas vitit 1940, dhe avionët dhe ushtarët polakë luajtën një rol vendimtar në angazhimet kryesore të Luftës së Dytë Botërore, në mënyrë më spektakolare në Betejat e Britanisë dhe Monte Cassinos.
Britania, Italia dhe Polonia gjithashtu jetojnë fort në të tashmen: Ata nuk po grinden vazhdimisht për transferimin e pushteteve tek institucionet evropiane apo për integrimin monetar. Dhe kanë tradita të forta debati. Në Anglinë e shekullit të nëntëmbëdhjetë, dramaturgët Gilbert dhe Sullivan talleshin me mënyrën se “Çdo djalë dhe çdo vajzë/Që ka lindur në botë i gjallë/Është ose pak Liberal/Ose përndryshe pak Konservator!” Italia i kapërceu debatet mes klerikëve dhe antiklerikëve. Dhe Polonia i mbijetoi ndarjes ndërmjet dy luftërave mes dy figurave ushtarake me vizione alternative, Marshallit Józef Piłsudski dhe gjeneralit Wladysław Sikorski – një rivalitet i gjatë që ka jehonë në tensionet në ditët e sotme midis liderit të ekstremit të djathtë Jarosław Kaczyński dhe kryeministrit Donald Tusk.
Atributi kryesor i një demokracie të suksesshme është nocioni i vjetër athinas i parrhezisë: E drejta dhe detyra e të gjithë qytetarëve për t’u shprehur lirisht në asambletë publike. I njëjti koncept ndonjëherë paraqitet edhe si përgjegjësi për t’i thënë të vërtetën pushtetit. Qindra vjet më vonë, ajo prodhoi lulëzimin e Rilindjes, me besimin e saj se idetë dhe argumentet duhet të jenë të testueshme dhe të kundërshtueshme. Si i vetmi parim që autokracitë absolutisht duhet ta shtypin, parrhezia është çelësi për të shpëtuar demokracinë – dhe njerëzimin bashkë me të.
Burimi: Project Syndicate, Përshtati: Gazeta “Si”
* Harold James është profesor i historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Princeton. Një specialist i historisë ekonomike gjermane dhe globalizimit, ai është autor i një sërë librash politikë e historikë. Ai është bashkëautor i librit “Euro dhe Beteja e Ideve”, si dhe autor librave:
“Krijimi dhe shkatërrimi i vlerës: Cikli i Globalizimit”,
“Krupp: Një histori e firmës legjendare gjermane”,
“Krijimi i Bashkimit Monetar Evropian”,
“Lufta e Fjalëve” dhe së fundmi,
“Shtatë përplasjet: Krizat ekonomike që formësuan globalizimin”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.