Bota

Shpella e akullit në Islandë shembet mbi turistët, një i vdekur dhe dy të zhdukur

Gazeta Si - Në Islandë, një shpellë akulli u shemb papritur pasditen e së dielës, ndërsa një grup turistësh ndodheshin brenda.

Aksidenti ndodhi në akullnajën Breiðamerkurjökull, në bregun juglindor të Islandës. Sipas transmetuesit publik islandez Ruv, brenda shpellës në momentin e shembjes ndodheshin 25 turistë.

Nga këta, 21 u shpëtuan, një person vdiq, dy të tjerë konsiderohen të zhdukur dhe një i katërt u shtrua në spital në gjendje të rëndë.

Nuk dihet ende kombësia e viktimës, të zhdukurve dhe të plagosurve. Anëtarët e tjerë të grupit mbetën të padëmtuar dhe morën mbështetje psikologjike.

Ekipet e shpëtimit nuk kanë pasur kontakte me dy turistët e zhdukur, por thonë se kanë një ide mjaft të saktë se ku mund të gjenden.

Rreth 200 persona po marrin pjesë në operacionet e shpëtimit. Policia po heton për shkaqet e aksidentit.

Breiðamerkurjökull është një nga pjesët e akullnajës më të madhe Vatnajökull, e cila është më e madhja në Islandë.

Jökulslárlón, një destinacion i famshëm turistik, e ka origjinën nga kjo akullnajë: është një liqen mbi të cilin notojnë copa të mëdha akulli që shkëputen nga akullnaja.

Në disa raste ato më pas arrijnë në oqean përmes një kanali të ngushtë që e lidh atë me liqenin. Shpella, tavani i së cilës u shemb ndodhet në perëndim të Jökulslárlón.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë