Gazeta Si - Personi i kërkuar për sulmin në sinagogën Beth Yaacov, në qytetin La Grande-Motte, në Francën jugore, është kapur nga policia.
Sulmuesi me një flamur palestinez dhe keffiyeh i vuri flakën të paktën dy makinave. Më pas flakët shkaktuan një shpërthim të fortë, ku u plagos një punonjës i policisë bashkiake.
Brenda sinagogës ndodheshin pesë persona, përfshirë edhe rabinin, të cilët nuk u lënduan nga shpërthimi i shkaktuar nga një bombol gazi e vendosur brenda njërës prej makinave të djegura.
Burri u kap rreth orës 23:30 të së shtunës në një apartament në Nimes, në katin e fundit të një ndërtese. Për kapjen e tij, ndërhynë repartet speciale të ndërhyrjes së BRI-Nat dhe shërbimi elitar Raid. Sulmuesi u plagos disa herë nga të shtënat e policisë që e kishte lokalizuar, jeta e tij nuk është në rrezik.
Emmanuel Macron kishte premtuar - në një mesazh në X - se "autori i këtij akti terrorist" do të arrestohej. “Lufta kundër antisemitizmit, – shtoi presidenti, – është një betejë që bëhet në çdo moment”.
Në Francë, aktet antisemitike u trefishuan në një vit, duke shkuar nga rreth 300 në pothuajse 900.
Kjo, që mund të kishte pasoja shumë më të rënda, ndodhi pak ditë para fillimit të Lojërave Para-olimpike, që pasojnë Lojërat Olimpike të Parisit 2024. Kryetari i bashkisë së La Grande-Motte, Stephan Rossignol, pa pamjet nga kamerat e vëzhgimit.
Ai ka raportuar se sulmuesi ka vepruar pa e mbuluar fytyrën. Ai shihet, me mbulesën tipike arabe, të kuqe si kefija e veshur nga palestinezët, një flamur palestinez rreth belit dhe një pistoletë 9 mm që i del nga poshtë një bluze polo blu, duke u vënë flakën automjeteve përpara sinagogës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.