Bota

Konventa në Çikago, Barack dhe Mishelle Obama me Kamala Harris: Po, ajo mundet. Shpresa po kthehet

Gazeta Si- Ish-presidenti amerikan, Barack Obama dhe bashkëshortja e tij Michelle Obama mbajtën një fjalim entuziasmues në Konventën e Demokratëve në SHBA, duke u bërë thirrje qytetarëve amerikanë që të mbështesin kandidaten demokrate për presidente, Kamala Harris.

“Ne nuk kemi nevojë për 4 vite të tjera rrëmujë, trazira dhe kaos. E kemi parë atë film më parë dhe të gjithë e dimë se vazhdimi zakonisht është më i keq”, tha Obama para delegatëve në ditën e dytë të Konventës në Çikago.

“Amerika është gati për një kapitull të ri, është gati për një histori më të mirë. Ne jemi gati për presidenten Kamala Harris”, theksoi Obama.

Turma në Çikago u entuzismua shumë kur Obama shpalli, "Yes, She Can", "Po, ajo mundet", duke iu referuar Kamala Harris, me sloganin e tij të famshëm të para 16 viteve, të cilin e përdori gjatë fushatës.

Harris ende nuk e ka përcaktuar pozicionin e saj për shumë çështje, por Barack ka sugjeruar se "Amerika nuk mund të jetë polici i botës, por mund të jetë një forcë për të mirën".

Ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë hodhi akuza ndaj kandidatit republikan Donald Trump, si dhe vlerësoi presidentin aktual Joe Biden, i cili u tërhoq nga gara presidenciale e këtij viti, duke i hapur rrugë Kamala Harrisit.

“Historia do ta kujtojë Joe Biden si një president që mbrojti demokracinë në një moment rreziku. Jam krenar që e quaj presidenti im, por akoma më shumë që e quaj miku im”, u shpreh Barack Obama.

Bashkëshortja e tij, Michelle Obama, e cila është në krye të preferencave të demokratëve që të kandidojë për presidente të ardhshme, tha se me kandidaturën e Kamala Harris, shpresat për Amerikën po kthehen sërish.

Ish-presidenti e mbylli natën e dytë të Konventës Kombëtare Demokratike të martën, duke dhënë një mbështetje vendimtare për zv.presidenten Harris, ndërsa ajo kërkon të ndërtojë koalicionin që ndihmoi Obamën të fitojë garën për Shtëpinë e Bardhë 16 vjet më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë