Bota

Antony Blinken vizitë në Izrael, takim me Netanyahun! Fokusi tek bisedimet për armëpushim në Gaza

Nga Gazeta 'Si- Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, më 18 gusht do të qëndrojë në Izrael, si pjesë e përpjekjeve diplomatike të Uashingtonit për të shtyrë përpara arritjen e një armëpushimi në Gazë, që do t’i jepte fund luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Kjo do të jetë vizita e dhjetë e kryediplomatit amerikan në këtë rajon që kur nisi lufta në Gazë në tetor të vitit 2023. Vizita e Blinkenit do të realizohet vetëm disa ditë pasi SHBA-ja paraqiti propozime, që edhe ndërmjetësit e tjerë, Katari dhe Egjipti, besojnë se do të mundësojnë tejkalimin e dallimeve mes palëve.

Zyrtarët amerikanë janë shprehur optimistë për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi, që parasheh lirimin e pengjeve, por kanë shtuar se ka ende punë për t’u bërë.

Në Izrael, Blinken do të takohet me kryeministrin Benjamin Netanyahu, dhe me zyrtarë të tjerë të lartë.

Negociatat për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi pritet të vazhdojnë javën e ardhshme në Kajro. Ato po mbahen në kohën kur është rritur frika se tensionet në Lindjen e Mesme mund të përshkallëzohen.

Irani është zotuar se do të hakmerret kundër Izraelit, pas vrasjes së liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Teheran më 31 korrik. Izraeli nuk ka marrë përgjegjësinë për këtë vrasje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë