Futboll

Drita ‘mban shqiptarët’ në Europë, eliminohet Ballkani dhe Deçiç!

Nga Gazeta ‘Si’ – Ka ende skuadra që mbajnë emrin e shqiptarëve në Kupat e Europës. Kështu skuadra e Dritës së Gjilanit ka arritur të kalojë kundërshtarët e tyre të raundit të tretë të turit eliminatorë të UEFA Conference League me shifrat 3-1 në duke kaluar tashmë vetëm një hap larg fazës së grupeve në fazën e play-off-it.

Pas humbjes në ndeshjen e parë me rezultat 1-0 dhe me rezultat të përgjithshëm prej 1-1, skuadrat shkuan në kohët shtesë ku gjilanasit shkëlqyen. Të besuarit e Zekirija Ramadanit luajtën në pjesën e parë  një lojë mjaftë të kujdesshme, duke mos i lejuar kundërshtarin të rrezikojnë portën e tyre. Në pjesën e dytë Drita shtoi sulmin dhe në minutën e 74-të, Raddy Ovouka futet në zonë dhe ndalet nga një prej lojtarëve të Audas, duke përfituar një penallti. Nga pika e bardhë Besnik Krasniqi arrin të jetë i saktë dhe i jep avantazhin 1-0 Dritës.

Me këto shifra u mbyll koha e rregullt dhe me rezultatin e përgjithshëm 1-1 takimi shkoi në shtesë. Në minutën e parë letonezët shënuan me anë të Mor Talan për të barazuar në 1-1, por Drita nuk u step, madje shënoi edhe dy herë të tjera në fillim me Ron Brojën për 2-1 dhe më pas në minutën e 115-të Albert Dabiçaj për të mbyllur takimin me shifrat 3-1, një rezultat që i çon ata më tej.

Ndërkohë  skuadra kampione e Kosovës, Ballkani, nuk ka arritur të kualifikohet për të tretin vit radhazi në fazën e “play-off”-it të Conference League. Ekipi nga Suhareka u mund në Irlandën e Veriut nga FC Larne, pas gjuajtjes së penalltive. Ndeshja në kohën e rregullt u mbyll 1-0 për Ballkanin, me golin e shënuar nga Hamidi, që çoi takimin në shtesë, por as aty nuk pati gola të tjerë.

Nga penalltitë, heroi i vendasve ishte portieri Rohan Ferguson, i cili priti dy goditjet e dardanëve dhe gjithçka u mbyll me rezultatin 4-1 për kundërshtarët e Ballkanit. Në fazën e tretë eliminatore të  UEFA Conference League është eliminuar edhe skuadra shqiptare e Malit të Zi, Deçiçi i Tuzit. Ata fituan 2-1 në kohën e rregullt dhe e çuan takimin në shtesë ndaj Helsinkit të Finlandës, por ekipi shqiptarë I Malit të Zi nuk arriti të dilte fitues në ekzekutimin e penalltive


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë