Paris 2024

Faleminderit (Спасибо) ‘i dashur armik’, Chermen Valiev!

Nga Gazeta Si- "Dashuri dhe urrejtje" mund të konsiderohet marrëdhënia jonë me Rusinë. Nga lidhja e marrëdhënieve para luftës dhe prishja e tyre pas pushtimit, viti 1924 deri në vitin 1939, dhe më pas 1945 deri në vitin 1961, për ta rikthyer  "dashurinë" në vitet 1990 dhe ftohjen sërish në vitet e fundit. Marrëdhëniet do të kushtëzoheshin nga politika, për t’u transmetuar poshtë te kushdo që mund të kishte kontakte me të huajt. Këtu nuk përjashtoheshin as sportistët.

Pas vitit 1961 të refuzoje përqafimin, përgëzimin, apo shtrëngimin e dorës ndaj një sportisti apo skuadre ruse, në Shqipërinë tonë komuniste shndërroheshe në hero, dhe raste ka patur plot, që nga refuzimi i shtrëngimit të dorës së qitëses Emanuela Kola, kampione Europe ndaj sportistes ruse… Nuk po flasim për bojkotimin e sa e sa ndeshjeve me skuadrat ruse dhe pasojat e sportit shqiptar nga ndëshkimet e UEFA-s, por edhe të federatave të tjera europiane…

Dhe do të vinte viti 1990, kur Dinamos së famshme të Kreshnik Tartarit, do t’i jepej urdhër nga lart, që volejbollistet shqiptare, mund t’u jepnin dorën volejbollisteve ruse, në përballjen me Uraloçkën e madhe të ish-Bashkimit Sovjetik.

Sot, me statusin e një vendi jo mik, Rusia, indirekt na dha mundësinë të shkruajmë historinë tonë sportive… Çermen Valiev, ish-sportisti i ekipit të Ministrisë se Mbrojtjes Ruse, na dha medaljen e parë olimpike në “Paris 2024”… Edhe pse të bronztë, në peshën deri 75 kg në mundjen e lirë.

Prej me shume se dy vitesh konflikti dhe lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, asnjë sportist rus apo bjellorus, në asnjë disiplinë sportive, nuk lejohet të marrë pjesë në aktivitete ndërkombëtare, ndaj shumë prej tyre kanë tentuar të kërkojnë rrugën për të mos humbur talentin dhe djersën e derdhur në pasivitet, në pritje të përfundimit të luftës. I tillë është edhe rasti i Çermen Valiev.

Emri i tij sot është në listën e "armiqve" të Ukrainës, kjo për shkak të së shkuarës së tij, si ish-sportist pjesë e klubit të Ministrisë së Mbrojtjes Ruse, një listë, ku ka shumë emra pa asnjë lidhje me armiqësinë apo luftën, por në situata të tilla ndodh të përfshihesh, ashtu si edhe 25-vjeçari rus.

Në të vërtetë, edhe në Shqipërinë tonë, sot të jesh rus nuk konsiderohesh mik, ndoshta as armik, në rastin e një sportisti, apo të një njeriu pa lidhje me politikën e vendit të tij.  Megjithatë, një "armik" nën ngjyrat kuqezi, në këtë gusht të 2024-s, shkroi historinë e sportit shqiptar, me medaljen e parë olimpike, atë të bronztën, për Shqipërinë.

Asnjë rus, veç një sportisti, nuk do të ishte sot si foto kryesore e portaleve shqiptare, e llogarive në rrjeteve sociale të politikanëve shqiptarë, të cilët kanë nxituar kush më shpejt e më shumë, ta falenderojë ruso-shqiptarin Çerman Valiev, që nga Kryeministri dhe kushdo që vjen pas tij në politikë.

Dhe ne nuk na mbetet gjë tjetër, veçse t’i themi mundësit Çermen Valievit: “Faleminderit (Спасибо), “i dashur armik”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë