Nga Gazeta Si – Me ardhjen e PS në pushtet, Shemsi Prençi drejtoi Emergjencat Civile për një kohë të gjatë, por në mandatin e tretë të kryeministrit Rama, ai jo vetëm nuk sheh përmirësim në këtë drejtim, por ngre shqetësimin për përkeqësimin e situatës. Në një intervistë për Gazeta Si, ai iu referua zjarrit më të fundit në Shëngjin, që sipas tij tregon paaftësinë totale të shtetit për të reaguar në kohë dhe me profesionalizëm.
“Në 5-6 vitet e fundit, situata është rënduar, pasi qeveria dhe bashkitë përqendrohem më shumë tek reklama, tek propaganda, sesa tek reagimi me plan për parandalimin dhe asgjesimin e zjarreve”- u shpreh ish drejtori i Emergjencave Civile, duke shkuar akoma më tej me arsyet pse Shqipëria vazhdon të dështojë në kontrollin e territorit dhe marrjen e masave.
“Në bashkitë e vendit ka njerëz që paguhen padrejtësisht, pa shkuar fare në punë. Mbi 20% e organikës së punonjësve të bashkive është e fryrë me këtë katëgori, për shkak të shpërblimit që marrin për shërbimet e tyre partiake.”- u shpreh zoti Prençi gjatë intervistës për Gazeta Si, ku kaloi në skaner pikat e dobëta të qeverisë në këtë drejtim. Pa lënë pas dore edhe shqetësimet për ndërhyrjen e agjenturave të huaja për dëmtimin e turizmit, si një nga dështimet më të mëdha të qeverisë, ai përmendi satelitët, një kontratë 6 milionë euro, e cila deri tani nuk ka prodhuar asgjë.

Gazeta Si: Situata me zjarret në Shëngjin na tregoi se Shqipëria vazhdon të ketë një përgjigje jo profesionale. Pse kemi mbetur kaq prapa dhe me ndërhyrje të vonuara?
Shemsi Prençi: Situata e zjarreve nuk nisi në fund të korrikut. Ajo u paralajmërua nga Qendra Kombëtare e Emergjencave Civile dhe Instituti i Gjeoshkencës, të cilët informuan për një verë të nxehtë, të thatë dhe të zgjatur, një situatë që krijon të gjitha kushtet për rënie zjarri. Këtë parashikim Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe bashkitë nuk e ka vlerësuar si duhet, në mënyrë që të hartonin planet e emergjencës për stinën e verës, kur bien zjarret, pavarësisht shkaqeve të tyre. Kjo nuk ndodh vetëm se ne na mungojnë pajisjet apo burimet njerëzore, siç realisht mungojnë, por ndodh, më së pari, sepse qeveria shqiptare dhe bashkitë nuk e trajtojnë me prioritet këtë aspekt të emergjencës.
Në 5-6 vitet e fundit, situata është rënduar, pasi qeveria dhe bashkitë përqendrohem më shumë tek reklama, tek propaganda, sesa tek reagimi me plan për parandalimin dhe asgjesimin e zjarreve. Autoritetet shqiptare reagojnë vetëm kur zjarri afrohet në qendrat e banuara apo kur futet në pyll. Përshembull, zjarri në Shëngjin nuk ra në datën 27 dhe 28 Korrik, kur qeveria u ngrit në këmbë, por ka rënë gati dy javë përpara, në datën 15 korrik. E kam parë vetë, duke shkuar për Velipojë, por asgjë nuk u bë për ta vënë nën kontroll derisa zjarri vuri në rrezik njerëzit dhe rezortet turistike.
Gazeta Si: Pse nuk angazhohen menjëherë autoritetet, kur ka një protokoll për reagimin e zjarreve?

Shemsi Prençi: Është e vërtetë që ka një protokoll për reagimin, por zjarri nënvlerësohet, kur bie në pjesët kodrinore, në zonat me shkurre dhe në zona me bar të thatë. Parimi i suksesit në luftën kundër zjarrit është goditja e zjarrit në embrion. Për ta realizuar këtë, Bashkia duhet të shtojë vrojtuesit për të gjithë territorin. Në bashkitë e vendit ka njerëz që paguhen padrejtësisht, pa shkuar fare në punë. Mbi 20% e organikës së punonjësve të bashkive është e fryrë me këtë katëgori, për shkak të shpërblimit që marrin për shërbimet e tyre partiake. Këta njerëz, të paktën 3 muaj në vit, duhet të angazhohen në zonat me rrezikshmëri të lartë të zjarreve për të informuar në kohë kryetarin e Bashkisë, Zjarrfikësin dhe Policinë. Kjo është puna parandaluese për ta goditur zjarrin.
Këtu tek ne kjo nuk zbatohet për dy arsye. Së pari, nuk punësohen profesionistë apo nuk trajnohen njerëz për situata të tilla, e dyta, nuk kanë aftësinë dhe kapacitetet për ta kryer ndërhyrjen në kohën e duhur. Kjo bën që ndërhyrja të ndodhë, kur dëmi dhe rreziku është shumë i madh, kur zjarri i është afruar qendrave të banuara apo zonave turistike, siç ishte rasti i Shëngjinit. Por dua të tërheq dhe njëherë vëmendjen tek abuzimi dhe politizimi shtetëror, që përmenda pak më parë. Nëse media do të investigojë organikën e punonjësve të bashkisë, do të gjejë se mbi 20% e tyre ndodhen në Angli, Gjermani, Itali, por rrogën e marrin në bashki. Kjo bën që fonde të çmuara të mos përdoren për emergjencat përshembull, por të përdoren për qëllime elektorale. Kjo ka bërë që zhbëhet parimi bazë për përballjen me një fatkeqësi natyrore që është planifikimi, parandalimi dhe, në fund, reagimi.
Gazeta Si: Shqipëria ka miratuar një strategji për uljen e riskut për emergjencat, sa është zbatuar kjo strategji për të mos mbetur në letër?
Shemsi Prençi: Në mënyrën më absolute, kjo është një strategji që ka mbetur në letër. Ajo u miratua vetëm një vit më parë, megjithëse qeveria ka pasur detyrim ta mbyllte në 2015-2016. Kur unë drejtoja Emergjencat Civile, i kemi dërguar 7 herë relacion qeverisë mbi domosdoshmërinë e strategjisë për parandalimin dhe minimizimin e fatkeqësive natyrore. Qeveria nuk e vuri asnjëherë ujin në zjarr për këtë çështje, sepse vëmendja dhe propaganda e saj ishin tek mbetjet, një çështje që është sot para drejtësisë dhe në dështim të plotë. Ka edhe një drejtim tjetër, ku qeveria nuk ka qenë e aftë dhe ka dështuar të analizojë e të vlerësojë shkaqet jonatyrore të zjarrvënies.
Për shkak të intensitetit të lartë të turizmit, Shqipëria ka ngjallur lakmi jashtë kufijve të saj dhe ne e dimë që shërbimet sekrete të vendeve të tjera janë aktivë. Ka një raport të Shërbimit Informativ Shtetëror të pak viteve më parë, sipas të cilit ekziston mundësia që zjarret të simulohen nga shërbimet e huaja për të devijuar turizmin nga Shqipëria në drejtim të vendeve të tjera. Mund të duket e çuditshme, por nuk është rastësi që zjarret masive ndodhin, më së shumti, në afërsi të zonave turistike. Me aq sa e njoh unë situatën, do të thosha se zjarri tre vite rresht në vendgrumbullimin e mbetjeve në Vlorë është i qëllimshëm. Në këtë rast, ose ka interesa të kompanive të trajtimit të mbetjeve, ose ka interesa të shërbimeve të huaja për të dëmtuar turizmin në zonën e Vlorës, e cila është kthyer në një qendër të rajonit për turizmin. Pra, ne duhet t’i analizojmë dhe t’i vlerësojmë të gjitha shkaqet dhe jo të fokusohemi vetëm tek propaganda e momentit, pa respektuar dokumentet që vetë i miratojmë, siç është edhe strategjia e emergjencave.

Gazeta Si: Çfarë kapacitetesh ka Shqipëria për të analizuar këto situata?
Shemsi Prençi: Kryeministri i Shqipërisë nuk është ulur asnjëherë për të analizuar situatën e riskut nga fatkeqësitë natyrore dhe për ta vlerësuar atë në të gjithë agjencitë ligjzbatuese, pasi në kohë të ndryshme, ka shkaqe të ndryshme. Piromanët mund të jenë të investuar nga shërbimet e huaja, mund të jenë të investuar nga kompani që kanë interesa për ta bërë bregdetin shqiptar tokë të djegur për të lehtësuar procedurat për të investuar resorte turistike. Kjo e fundit mund të jetë dhe arsyeja e lejimit të zjarrit deri në zonë e quajtur Rana e Hedhun, përtej Shëngjinit.
Si rregull, sipërfaqet e djegura, hiqen nga zonat e mbrojtura dhe, kështu, lehtësohen procedurat për investime potenciale. Nëse do t’i riktheheni lajmeve të disa viteve më parë, zjarret ranë në mënyrë të vazhdueshme në vendgrumbullimin e mbetjeve në Lushnjë, në Fier dhe në Vlorë.. është e qartë se pas këtyre zjarreve qendrojnë interesat e kompanive, të cilat nuk kapsulojnë mbetjet, një proces që kushton, por janë të interesuar t’i djegin pa losto për ta, por me kosto të rënda për mjedisin dhe qytetarët.
Gazeta Si: A po përdoren satelitët e blerë 2 vjet më parë për të lehtësuar reagimin ndaj zjarreve dhe emergjencave përgjithësisht?
Shemsi Prençi: Satelitët janë një mashtrim. Ka 2 vjet që ne kemi firmosur kontratën prej 6 milionë euro dhe nuk kemi asnjë imazh për satelitët as për kultivimin e bimëve narkotike, as për vatrat e zjarrit. Ne kemi nevojë për imazhe në kohë reale nga satelitët, jo për imazhe që përpunohen disa javë më vonë. Deri tani, çështja e satelitëve ka rezultuar një tallje e kryeministrit me shqiptarët, sepse nuk kemi përfituar asgjë, kur kemi shkuar në gjysmën e afatit të kontratës. Unë di që sateliti vetëm 1 herë ka dhënë imazh dhe ky jo në kohë reale. Nëse për zjarrin e Shëngjinit, sateliti do ta sjellë imazhin më shtator, çfarë vlere ka? Prandaj them që është një mashtrim i madh.
Gazeta Si: Çfarë masash duhen marrë për të pasur nën kontroll zjarret dhe çfarë kostoje kanë?
Shemsi Prençi: Dy vjet më parë, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, propagandoi me të madhe se Shqipëria do të futej në fazën e organizimit operacional dhe, në bashkëpunim me qeverinë italiane, e cila kontribuoi me 30 milionë, do të krijohej flota ajrore e luftës kundër zjarreve. Nuk u bë as në 2022, as në 2023, as në 2024. Kjo do të thotë se qeveria nuk ka prioritet zgjidhjen e problemeve reale të vendit, por propagandën. Nuk ka asnjë analizë apo vlerësim për shtimin e kapaciteteve njerëzore, për të rritur kapacitetet operacionale.
Për shkak se Shqipëria nuk ka infrastrukturë për të ndërhyrë shpejt në rrugë tokësore, ne duhet të përqendrohemi tek rruga ajrore për shuarjen e zjarreve. Shqipëria ka nevojë, minimumi, për 2 helikopterë dhe 2 avionë canadair për të pasur nën kontroll situatën dhe për të mos lënë që të përhapet asnjë vatër zjarri. Mjafton që Shqipëria të kursejë paratë e 2 km rrugë që kushtojnë deri më 22 milionë euro për kilometër. Me 44 milionë euro mund të blejë 2 avionët canadair dhe 2 helikopterë. Qeveria shqiptare duhet t’i përshtatet parimit të pashkruar të shoqërive perëndimore për të investuar 1 USD sot për të parandaluar 7 USD humbje nesër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




